Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 08.02.2017




Projektligji për automjete, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Debatin e udhëhoqi deputeti Fatmir Rexhepi, anëtar i Komisionit dhe kryesues i grupit punues për amendamentimin e këtij projektligji.

Duke folur për qëllimin e këtij takimi, Rexhepi vuri në dukje rëndësinë e angazhimit të të gjitha grupeve të interesit, në mënyrë që ky projektligj t'i përmbushë nevojat e qytetarëve, duke ndikuar po ashtu, edhe në shtimin e sigurisë në komunikacion.

Në vijim të debatit, të pranishmit shfaqën opinionet e tyre lidhur me këtë Projektligj.

Në emër të INDEP-it, foli Dardan Abazi, i cili vlerësoi se memorandumi shpjegues i projektligjit ka mangësi të theksuara, të cilat sipas tij, ndikojnë edhe në rolin e Kuvendit kundruall Qeverisë. Sipas tij, projektligji duhet të parasheh edhe krijimin e një data baze, nëpërmjet së cilës do të dihej saktësisht numri i automjeteve të importuara.

Përfaqësuesja e Odës Ekonomike të Kosovës, Lumnie Hashani, foli për kontrollimin teknik dhe homologimin automjeteve, duke vënë në spikamë edhe nevojën e ndryshimit të neneve: 32, 33, 73 dhe 76.

Duke iu referuar neneve të projektligjit që rregullojnë importin e automjeteve, Zgjim Mita, përfaqësues i shoqatës përkatëse, vlerësoi se, me këtë projektligj do duhej paraparë edhe importin e automjeteve elektrike, si dhe, subvencionimin me rastin e regjistrimit të tyre, për shkak se, sipas tij, këto automjete nuk ndikojnë në ndotjen e ambientit. Ai pasi foli edhe për homologimin dhe nevojën e rishikimit të neneve: 72, 73 dhe 76, po ashtu vlerësoi se, me këtë projektligj duhet paraparë edhe një mekanizëm të prodhimit të statistikave, e që ka të bëjë me vitin e prodhimit të automjeteve, të cilat janë përfshirë në aksidente e që kanë rezultuar me fatalitet.

Lidhur me kushtet që duhet plotësuar automjetet për të qenë pjesëmarrëse në komunikacion foli, Shkurta Muharremi, përfaqësuese e Ministrisë së Infrastrukturës. Ai vlerësoi se neni, 39, 45, 48 dhe neni 62 duhet riformuluar.

Në emër të Policisë së Kosovës, fjalën e mori major, Çlirim Hajdini, i cili fillimisht vlerësoi se Projektligji për automjete duhet harmonizuar me një sër ligjesh tjera, ndërkaq, ai me këtë rast vuri në spikamë Ligjin për kundërvajtje.

Fjalën e morën edhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht të fakultetit teknik, Musli Bajraktari, Ilir Doçi dhe Naser Lajçi, ndërkaq, në emër të kolegjit "Tempulli", foli, Nijazi Kusari, të cilët kontributin e tyre e ofruan në disa nene, duke dhënë sqarime edhe për disa çështje të ngritura gjatë debatit.

Në vijim të debatit, fjalën e morën edhe një numër i madh diskutuesish, të cilët folën lidhur me fushëveprimtarin që është paraparë të rregulloj ky projektligj, ndërkaq, u pajtuan që gjatë hartimit të amenadamenteve të vijohet me bashkëpunim edhe më të ngushtë.

Në fund, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebi Shatri, ofroi një varg sqarimesh lidhur me disa nene të projektligjit dhe bëri të ditur se gjatë hartimit të tij ata kanë bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në përmbyllje të takimit, kryesuesi dhe deputetët: Sala Berisha- Shala e Enver Hoti, i falënderuan të pranishmit për pjesëmarrje, duke i siguruar ata për bashkëpunim të ngushtë edhe gjatë fazave të mëtejme lidhur me këtë projektligj.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...