Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Mërkure, 08.02.2017




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, i kryesuar nga kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, u shqyrtua Projektligji Nr. 05/L-134 për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

Pas sqarimit të kryesuesit të grupit të punës, Rexhep Selimi, lidhur me amendamentet e Komisionit për këtë projektligj (17 sosh), Projektligji për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive dhe amendamentet e Komisionit, u mbështetë në mënyrë unanime nga Komisioni duke u proceduar në seancë plenare.

Në vijim anëtarët e Komisionit diskutuan lidhur me raportin e grupit të punës për mbikëqyrjen e Ligjit për Inspektoratin e Policisë së Kosovës. Gjatë prezantimit të raportit të grupit të punës nga nënkryetarja e Komisionit , Ganimete Musliu dhe anëtari Nuredin Ibishi, u dakorduan që ky raport të shtjellohet në detaje dhe të përmbyllet pas prezencës dhe diskutimit në Komision të Kryeshefit të këtij inspektorati. Andaj, Komisioni u dakordua që në mbledhjen e radhës lidhur me këtë çështje të ftohet në Komision kryeshefi i Inspektoratit Policor.

I ftuar për raportim në Komision u vendosë që të jetë edhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës, me theks të veçantë lidhur me prezencën, siç u tha, të personave me uniforma ushtarake serbe në veri, bazuar në informatat e mediave.

Krejtësisht në fund, Komisioni ka zhvilluar një diskutim të gjerë edhe lidhur me debatin parlamentar që do të mbahet gjatë ditës së nesërme në mbledhje të Kuvendit lidhur me Forcat e Sigurisë së Kosovës, sipas kërkesës së deputetit Daut Haradinaj, i mbështetur edhe nga 10 deputetë tjerë nënshkrues. Ata u dakorduan që diskutimi për këtë çështje në Kuvend, të bëhet në emër të anëtarëve të Komisionit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së