Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme
E Premte, 03.02.2017
Komisioni për punë të jashtme, kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar i komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën pikë kryesore ishte raportimi i zëvendësministres së Ministrisë së Integrimit Evropian, Anila Statovci- Demaj.
Me këtë rast, zv ministrja Statovci- Demaj, vuri në dukje se liberalizmi i vizave për qytetarët është njëra ndër çështjet më të rëndësishme për të cilën janë duke u angazhuar, ndërkaq, rikujtoi se duhet përmbushur edhe dy kritere të mbetura. Ajo sqaroi se Demarkacioni me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i hapin rrugë këtij procesi.
Ministrja në vijim foli edhe për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe vuri në dukje se Ministria e Integrimeve Evropiane është duke kryer rolin e saj për të intensifikuar zbatimin e MSA-së. Lidhur me këtë, ajo u shpreh e kënaqur me nivelin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Foli më pas edhe për strategjinë legjislative dhe angazhimet e Ministrisë për përafrimin e ligjeve të Republikës së Kosovës me ato të BE-së, duke theksuar nevojën e ngutshme për miratimin e një mori ligjesh.
Në vijim folën anëtarët e komisionit, të cilët ngritën një mori çështjesh dhe shqetësimesh, të cilave u është përgjigjur më pas zv ministrja Statovci- Demaj.
Në këtë takim, është diskutuar edhe për përgatitjet që janë duke u bërë lidhur me organizimin e Samitit të kryetarëve të komisioneve të jashtme parlamentare, i cili do të mbahet prej 19- 22 shkurt në Prishtinë.