Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Mërkure, 01.02.2017
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, mbajti takimin e radhës, të udhëhequr nga Xhevahire Izmaku, kryetare.
Në mbledhjen e sotme, të komisionit i pranishëm ishte përfaqësuesi i Institutit GAP Visar Rushiti, për të prezantuar projektin e këtij Instituti me të cilin është paraparë bashkëpunimi me komisionin.
Përfaqësuesi i Institutit GAP, Rushiti, në fillim të takimit theksoi nevojën që në Planin e Punës së Komisionit për vitin 2017, të përfshihet si aktivitet monitorues edhe Ligji për vetëqeverisje lokale, përgjegjësit për komunat dhe konfliktet me ligjet në fuqi. Më pas Rushiti, theksoi se Instituti GAP, është duke shqyrtuar në tërësi bazën ligjore e cila definon kompetencat në fusha të ndryshme dhe është në proces të përgatitjes së një raporti lidhur më ketë problematikë .
Rushiti, gjatë prezantimit, theksoi se Instituti GAP, ka angazhuar një kompani anketuese e cila do të bëj matjet e njohurive të qytetarëve për kompetencat e pushteteve për çështjet më bazike në kompetencë të institucioneve publike. Përmes këtyre aktiviteteve, sipas Rushitit do të bëhet një analizë nga Instituti, ku do të grumbullohen sugjerimet e qytetarëve, lidhur me përgjegjësit dhe çështjet që i preokupojnë ata, nga niveli lokal dhe ai qendror.
Ai poshtu, prezantoi aktivitet e Institutit GAP përmes të cilave do të ndihmohet komisioni siç janë : hulumtimet, organizimi i takimeve në nivel lokal me përfaqësuesit e komunave, dëgjimet publike, si dhe përgatitja e raporteve përfundimtare të prezantimit në seanca plenare.
Çështje problematike nga Rushiti, u paraqit edhe përgjegjësia e komunave sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, dhe konflikti i kompetencave që del nga Ligjet tjera të aprovuara më vonë.
Anëtarët e komisionit, e përkrahën projektin e prezantuar të Institutit GAP, dhe u dakorduan që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në monitorimin e komunave në nivel lokal.