Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Marte, 31.01.2017
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e sotme drejtuar nga Nehat Baftiu, (kryetar) kishte të ftuar për raportim ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, lidhur me; Sigurimet shëndetësore; Implementimin e Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në QKUK si dhe furnizimin me barna nga lista esenciale.
Ministri Rrahmani në fillim të fjalës së tij njoftoi deputetë se ka kërkuar shtyrjen e fillimit të implementimit të ligjit për sigurimet shëndetësore, i cili ishte parashikuar të fillonte më 1 Janar 2017. Kemi pretenduar të hedhim hapa të mëtejshme, të cilat nuk kanë qenë të parashikuara në ligj duke kërkuar shtyrjen e tij deri në Gusht 2017 dhe në prill me miratimin e tij nga qeveria të hyjë në amandamendim vetëm për ato nene ku ka nevojë për ndryshim.
Deputetë të pakënaqur për gjendjen e vështirë në shëndetësi, me diskutimet dhe pyetjet e tyre kërkuan sqarime bindëse, për këtë situatë, duke theksuar domosdoshmërinë e implementimit të ligjeve, të cilat edhe pse janë monitoruar nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, situata vijon të jetë tejet e rëndë. Lidhur me Implementimin e Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive, ministri Rrahmani theksoi se pothuajse jemi gati dhe presim përfundimin e procesit të tenderimit, i cili nënkupton edhe fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje. Deputetët kërkuan garanci për zbatim të shpejtë të procedurave me qëllim të eliminimit të penalltive të parashikuara në marrëveshje, për vonesat nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa për furnizimin me barna nga lista esenciale, ministri theksoi se kemi ndryshime pozitive në krahasim me vitet e tjera duke rritur numrin deri në 113 kontraktime të reja. Gjithashtu jemi duke punuar për stabilizimin e çmimeve të barnave në të gjithë Kosovën. Gjithsesi situata ka problemet e veta.
Diskutimi me përfaqësuesin e SHSKUK-së, Shemsi Veseli, lidhur me punësimin e stafit shëndetësor në spitale dhe në QKUK, pas një prezantimi të situatës, u fokusua në diskutimet dhe pyetjet e deputetëve duke theksuar si domosdoshmëri emergjente plotësimin e stafit shëndetësor në spitale dhe QKUK.
Më tej, Komisioni shqyrtoi Projektligjin për ndërmarrjet sociale, të cilin e miratoi në parim.