Lajmet e fundit

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Reçica, takoi homologun belg, Van Der Maelen

E Hënë, 30.01.2017




Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit belg, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, takoi kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Belgjikës, Dirk Van Der Maelen.

Në takim, Reçica falënderoi homologun e tij për mbështetjen e Belgjikës për popullin e Kosovës në shtet-formim dhe zhvillimin socio-ekonomik. Z. Van Der Maelen u informua për punën e Kuvendit dhe rolin e tij në demokratizim të shoqërisë dhe promovimin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

Kryetari Reçica u shpreh se Republika e Kosovës është shtet funksional dhe synon të jetë e zhvilluar ekonomikisht. Ai tha se gjithë kjo është e mundur me orientimin strategjik drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Reçica theksoi se Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet në rajon. Ai ngriti shqetësimin për veprimet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e udhëheqësisë së saj, të cilat, sipas tij, nuk janë në frymën euro-atlantike.

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit mes dy komisioneve, z. Reçica ftoi z. Van Der Maelen të vizitojë Kosovën.

Van Der Maelen falënderoi kryetarin e komisionit, Reçica, për vizitën dhe informimin për zhvillimet e fundit. Ai theksoi se ka vizituar Kosovën tre herë, dhe si kryetar i Komisionit ka interesim të madh për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Van Der Maelen shprehu gatishmërinë për të ndarë përvojën mes dy komisioneve dhe të vizitojë Kosovën.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Reçica, takoi homologun belg, Van Der Maelen