Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Hënë, 30.01.2017




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja, Albulena Haxhiu, ka diskutuar sot lidhur me raportin e Transparency International, rreth indeksit të perceptimit të korrupsionit.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të Asgjësisë Kundër Korrupsionit, prokurorë, përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe përfaqësues nga Organizatat e Shoqërisë Civile.

Fillimisht, kryesuesja e këtij takimi Albulena Haxhiu sqaroi se, raporti në fjalë flet për indeksin e perceptimit të korrupsionit në Kosovë. Ajo tha se sipas këtij raporti, Kosova renditet e 95-ta nga 176 vende, si dhe ka 36 pikë nga gjithsej 100 pikë. Ajo më tej sqaroi se, zero pikë i kanë vendet e korruptuara, ndërsa vendet e pakorruptuara 100 pikë.

Artan Canhasi, nga KDI, duke e prezantuar raportin e Transaparancy Internationl,tha se, Kosova ka shënuar një progres të vogël, me ç ‘rast ka marrë tri pikë më shumë se vitin paraprak. Gjatë diskutimit të tij, ai tha se indeksi i cili është publikuar javën e kaluar tregon se Kosova ka shënuar një përparim të lehtë krahasuar me vitin 2015. Ai sqaroi se Kosova kishte 33 pikë gjatë vitit paraprak, ndërkaq, tani ka 36 sosh dhe gjendet në vendin e 95-të, derisa vitin e kaluar ka qenë në vendin e 103. Duke sqaruar faktin se raporti është i fokusuar në sektorin publik, Canhasi shtoi se ngritja me tri pikë është për shkak të përmirësimit të sistemit të prokurimit.

Ai po ashtu përmendi faktin se Kosova ka humbur 300 milionë euro nga MCC (Sfidat e Mijëvjeçarit), duke kërkuar me këtë rast që të ketë një Komision Hetimor Parlamentar për të kuptuar arsyen e humbjes së këtyre parave.

Financimi i subjekteve politike, emërimi dhe përzgjedhja e kandidatëve dhe jo profesionalizmi i personave që punojnë në institucionet e pavarura, mbetet pikë kritike, tha Canhasi, duke përmendur në vijim ndikimin partiak në emërimin e këtyre personave. Po ashtu ai përmendi edhe sektorin e shëndetësisë dhe gjyqësorin, duke thënë se një transparencë më e madhe në këtë drejtim do të ndikojë që të përmirësohej situata.

"Disa poena tjerë do të fitoheshin po të bëhen kontratat publike të cilat nënshkruhen përmes prokurimit publik", tha ai.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, tha se, Kosova, edhe pse po renditet ndër vendet me të korruptuara, nuk ka parë një zgjim të institucioneve sa i përket kësaj çështje. Ajo me këtë rast kritikoi edhe mosprezencën e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët kanë qenë të ftuar në këtë takim.
Sa i përket Ligjit për Financimin e Partive Politike, ajo tha se

është duke u planifikuar që Komisioni për Legjislacion, bashkërisht me Komisionin për Buxhet dhe Komisionin për mbikëqyrje të Financave Publike të mbajnë një takim të përbashkët për të diskutuar lidhur me problemet në Ligjin për Financimin e partive politike.

Qëllimi i këtij takimi është që të adresohet kjo çështje, ngase rregullimi aktual ligjor është i pazbatueshëm dhe janë hasur probleme të shumta në praktikë.

Ndërsa, sa i përket Ligjit për Konfliktin e Interesit, Haxhiu sqaroi se është tërhequr dy herë radhazi nga Ministria e Drejtësisë dhe se tani sërish ka ardhur në Kuvend.

Anëtarja e Komisionit Valdete Bajrami tha se ky raport tregon se Kosova ende është mbrapa dhe se nuk ka vullnet politik për ta luftuar korrupsionin nga ata të cilët janë në krye të shtetit. Ajo shtoi se
ky raport duhet të merret me seriozitet nga të gjithë ne, veçanërisht nga qeveria, në mënyrë që të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Pal Lekaj, mes tjerash tha se korrupsioni më i madh është në sektorin e shëndetësisë dhe tek gjyqësia, duke përmendur faktin se ka ndikime politike. Ai po ashtu tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me këdo që e lufton këtë dukuri negative, që është bërë kancer i shoqërisë në Kosovë.

Arben Hoti, gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se, sa i përket perceptimit të korrupsionit në Kosovë pranimi i këtij fakti ose identifikimi I problemit është kryesor në këtë fazë, sepse Kosova gjendet poshtë në renditjen e kësaj organizate.

Mes tjerash Hoti tha se është shënuar një progres në luftimin e lëndëve të korrupsionit, ngase kjo çështje është prioritet nga gjykata dhe ato caktohen jashtë radhe, për shkak të interesit të përgjithshëm të Kosovës, ndërkaq ka përmendur me këtë rast edhe rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit.

Ndërsa Afrim Atashi, nga AKK-ja, tha se AKK-ja të gjitha raportet e kësaj natyre i analizon dhe merr masa adekuate konform kompetencës që ka për luftimin dhe parandalimin e këtyre shkaqeve.

Në vijim ai ka folur edhe për bashkëpunimin që kanë me institucionet relevante, ndërkaq ka sqaruar edhe çështjen e kallëzimeve penale.

Më pas foli edhe Blerim Kelmendi nga AKK-ja. Ndërkaq, prokurori, Shqipdon Fazliu, tha se këto të gjetura duhet të merren me seriozitet dhe se duhet të ndërmerren hapa konkret. Duke përmendur pikët e ngritura gjatë këtij viti, krahasuar me vitin paraprak, ai tha se megjithatë është shënuar një progres. Ndërkaq, shtoi se prokuroria e shtetit ka bërë hapa pozitiv dhe reforma.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...