Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Hënë, 30.01.2017




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare. Në takimin e sotëm, me kërkesën e komisionit, i pranishëm ishte kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, i shoqëruar nga Kushtrim Garaj anëtar i komisionit, të cilët, para deputetëve prezantuan dhe informuan lidhur me punët dhe angazhimet e komisionit.

Kryetari i këtij komisioni, Gjetaj, në fillim të takimit, theksoi nevojën e përkrahjes institucionale, meqë komisioni është në procedurën e hartimit të Planit të veprimit, plan i cili, sipas tij, duhet të bëhet në koordinim me institucionet dhe akterët e tjerë relevantë, për të qenë më i zbatueshëm dhe në interes të familjarëve të personave të pagjetur.

Tutje, Gjetaj shtoi se komisioni qeveritar ka mungesë të ekspertëve profesionalë në ekspertizën e ADN-së. Procesi i verifikimit të personave të zhdukur, theksoi ai, bëhet me ndihmën e ndërkombëtareve.

Gjetaj prezantoi disa lokacione të dyshimta të varrezave masive që ndodhën në territorin e Kosovës, si dhe një lokacion të cilit i dha theks të veçantë, në pjesën veriore te Mitrovicës, tek xhamia e Ibrit, ku dyshohet të jenë të varrosur trupat e shqiptarëve të luftës së fundit në Kosovë. Lidhur më këtë lokacion, Gjetaj tha se gjurmimi është iniciuar nga Gjykata e EULEX-it në vitin 2010, mirëpo, sipas tij, puna është ndërprerë me urdhër të EULEX-it dhe deri më tani nuk është punuar asgjë në këtë drejtim.

Nga ana e anëtarëve të komisionit u shtruan pyetje për ngecjen e gjurmimeve në varrezën e xhamisë se Ibrit në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe për plotësim-ndryshimin e Ligjit për persona të pagjetur.

Përfaqësuesi qeveritar për persona të pagjetur, Gjetaj, u përgjigj duke sqaruar se ndërprerja e punimeve në pjesën veriore te Mitrovicës, është penguar për shkaqe politike nga ana e EULEX-it. Ndërkaq lidhur me plotësim ndryshimin e Ligjit për persona të pagjetur, Gjetaj deklaroi se është mirë të ndryshohet periudha kohore për persona të pagjetur që trajton ligji, duke marrë për bazë pikëpamjet e familjarëve të të zhdukurve.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...