Lajmet e fundit
Haliti: Dialogu, rruga e vetme për arritjen e objektivave shtetërore
E Enjte, 26.01.2017
Fjalimi i nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, mbajtur të martën në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg:
"Shkëlqesi kryetar,
Të nderuar anëtarë të Komisionit...!
Zonja e zotrinjë të pranishëm në këtë mbledhje!
Ju jam mirënjohës që më mundësuat të flas para jush në këtë mbledhje për dialogun, si rrugëzgjidhja e vetme, e arsyeshme dhe produktive në demokraci. Rezultat i dialogut janë të gjitha arritjet e deritanishme në rrafshin ndërkombëtar. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata globale, rajonale, politike, ekonomike dhe financiare që kulmojnë me nisjen e procesit të qëndrueshëm të integrimit përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në.
Me dialog është arritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës në komisionet e Asamblesë Parlamentare të KE-së, ku mbi të mbështetet edhe sugjerimi i Byrosë së AP-së për rezervimin e vendit të Kuvendit të Kosovës në sallën e mbledhjeve plenare të Asamblesë.
Si kryesues i Përfaqësisë së Kuvendit të Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë t'ju falënderoj në emër të Kuvendit për rolin tepër të rëndësishëm të Asamblesë Parlamentare të KE-së, për promovimin e demokracisë, hedhjen e themeleve për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe veprues për respektimin e të drejtave të gjithë qytetarëve, veçmas për pakicat kombëtare në Kosovë. Sipas filozofisë dhe logjikës demokratike, dialogu është ballafaqimi i palëve kundërshtare apo në konflikt për t'u përballur me fjalë, arsyetime dhe gjykime të argumentuara e të pranueshme përgjithësisht për të arritur tek e vërteta dhe e drejta. Kushti i parë që dialogu të zbulojë të vërtetën, të drejtën, është barazia sociale, ekonomike e politike mes palëve.
Ne, shteti i pavarur i Kosovës, nën nxitjen, kujdesin dhe monitorimin në vazhdimësi të BE-së, kemi filluar, dhe prej vitesh po bisedojmë me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Rrjedhojë e këtyre bisedimeve janë arritjet tona në administrimin dhe ushtrimin e sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin e njohur ligjërisht të Kosovës; janë njohjet ndërkombëtare nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së; është krijimi i një shteti me vizion dhe vullnet të qartë euroatlantik, i vendosur të ndërtojë një demokraci funksionale dhe që e konsideron procesin e konsolidimit të institucioneve një proces të pakthyeshëm.
Nëpërmjet implementimit të marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit, ne po provojmë më shumë pjekuri politike dhe përgjegjësi për ndërtimin e një klime mirëbesimi të qëndrueshme mes dy vendeve.
Por, pas dy ndodhive të fundit provokative nga Beogradi, raportet bilaterale Kosovë - Serbi janë lëkundur seriozisht. Rasti i trenit, të ndaluar në kufi nga autoritetet e shtetit të Kosovës, me mbishkrimin "Kosova është Serbi" në 20 gjuhë, e cila u parapri nga arrestimi i një figure me peshë në politikë dhe në historinë e krijimit dhe të konsolidimit të Kosovës shtet, të iniciuar nga Serbia, shkojnë ndesh me frymën e dialogut dhe të përpjekjeve disavjeçare për të ecur përpara.
Ngjarjet e fundit, që u shoqëruan me ultimatume kërcënuese nga krerët e Beogradit, flasin qartë që në Serbi po fryjnë erërat e vjetra të konfliktit, nga e cila ka vuajtur kaq shumë Ballkani.
Në përmbyllje, dëshiroj të theksoj edhe një herë se politika shtetërore e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e angazhuar dhe e palëkundur në vazhdimin e dialogut me Serbinë, nën kujdesin e BE-së. Kjo është rruga e vetme për arritjen e objektivave tona shtetërore. Synojmë dhe kërkojmë efektivitet më të madh të dialogut ndërshtetëror. Kjo, mendoj se do të arrihet, kur të dy shtetet të ndihen të barabartë jo vetëm mes tyre, por dhe botërisht. Edhe një herë ju falënderoj!"