Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Mërkure, 25.01.2017
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, u diskutua lidhur me Planin dhe Programin e punës së Komisionit, për vitin 2017.
Me këtë rast, anëtarët e Komisionit diskutuan çështjet të cilat janë përmbledhur në këtë plan të punës së Komisionit për t'u trajtuar përgjatë këtij viti, duke dhënë në vijim propozime shtesë për plotësim të këtij plani.
Si pjesë e planit të punës për vitin 2017, do të jetë përcjellja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohen në Bruksel, transparenca dhe llogaridhënia në këtë proces, u vlerësua njëzëri nga anëtarët e Komisionit gjatë kësaj mbledhje, duke përmendur në vijim pikat të cilat janë propozuar nga KDI-ja.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit rreth këtij plani të punës, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, u dakorduan që të ftohen në vazhdimësi për raportim ministrat përkatës. Ndërkaq, për çdo marrëveshje eventuale të nënshkruar ose që pritet të nënshkruhet, u vlerësua se paraprakisht duhet të jetë i njoftuar Komisioni.
Po ashtu u tha se sa i përket politikave të jashtme Komisioni duhet të ketë qëndrim unik.
Krejtësisht në fund Plani dhe Programi i punës së Komisionit, për vitin 2017 u miratua njëzëri me plotësimet e anëtarëve të komisionit dhe propozimet e KDI-së.