Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik takoi drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac
E Marte, 24.01.2017
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri, zhvilloi sot një takim me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, me të cilin diskutoi lidhur me zhvillimet në komunitetin evropian të energjisë, sfidat e Kosovës në këtë fushë dhe hapat që ajo ka ndërmarrë në miratimin e legjislacionit përkatës.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Kopac, i informoi anëtarët e komisionit me angazhimet e këtij sekretariati përkitazi me monitorimin e zbatimit të legjislacionit dhe paraqitjen e raportit në Këshillin ministror të Komunitetit të Energjisë. Ai tha se kapitulli kushtuar Kosovës mbulon energjinë elektrike, gazin, autoritetin rregullator, ambientin, energjinë e ripërtëritshme, naftën, efiçiencën e energjisë, konkurrencën dhe statistikat.
Kopac theksoi nevojën e miratimit të legjislacionit sekondar në pajtim me ligjet përkatëse, duke konfirmuar, njëkohësisht, përkrahjen e Sekretariatit në këtë proces.
Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, e falënderoi drejtorin Kopac për angazhimin e Sekretariatit dhe për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në fushën e energjisë, si dhe për gatishmërinë e tij për ta mbajtur të njoftuar komisionin me zhvillimet në komunitetin evropian të energjisë. Ai tha se Kosova ka miratuar pakon ligjore në këtë fushë, ndërsa është e angazhuar edhe në përgatitjen e legjislacionit sekondar, i cili, sipas tij, kërkon angazhim të theksuar. Ai bëri të ditur se në pjesën e parë të këtij viti pritet të vijë nga qeveria Strategjia e re zhvillimore e qeverisë. Problemet në linjën e interkoneksionit 400 kV me Shqipërisë, Mustafa i konsideroi politike, ndërsa theksoi nevojën e zgjidhjes sa më të shpejtë të tyre. Lidhur me pengesat dhe ndërhyrjet e Serbisë në sektorin energjetik të Kosovës, foli edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Besim Beqaj.