Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Premte, 20.01.2017
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar.
Në këtë takim, ishte i ftuar ishte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, për të sqaruar para anëtarëve të komisionit Projektligjin për Ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit te Zi dhe Serbisë.
Kryetari Hasani, në fillim të takimit, kërkoi nga ministri Shala që të jep më shumë sqarime lidhur me këtë projektligj.
Ministri Shala, nga ana e tij, e arsyetoi miratimin e projektligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar atë tejet të rëndësishëm, ngase, siç theksoi ai, është në interes të të rinjve të vendeve të rajonit. Më pas, ministri Shala shtoi se iniciativa për themelimin e zyrës rajonale për bashkëpunim midis të rinjve në Ballkanin perëndimor, është nxjerrë nga takimi i ministrave të punëve të jashtme të mbajtur në Tiranë në maj të vitit 2015.
Gjatë diskutimit, ministri sqaroi se zyra rajonale për bashkëpunim, do ta ketë selinë qendrore në Tiranë.
Qëllim parësor i kësaj nisme, sipas ministrit Shala, është promovimi dhe bashkëpunimi i qendrave rinore të vendeve të rajonit, ku parashihet promovimi i tolerancës, solidaritetit, si dhe bashkëpunimi socio-ekonomik.
Duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, ministri Shala theksoi se nëpërmjet saj synohet lëvizja e lirë e të rinjve në vendet e rajonit dhe përfitimi i projekteve të ndryshme për të rinjtë tanë, nga fondet e BE-së.
Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe miratuan planin e punës së komisionit për vitin 2017.