Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Marte, 17.01.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, u diskutua rreth situatës së sigurisë në Kosovë.
Për të raportuar lidhur me këtë çështje, në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni.
Me këtë rast, ai njoftoi për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, me theks të veçantë lidhur me gjendjen e krijuar pas tentativës, që në territorin e Republikës së Kosovës të hyjë një tren ilegal nga Serbia, hyrja e të cilit është penguar nga ana e Policisë së Kosovës.
Fillimisht, ministri Hyseni sqaroi se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë në koordinim të përditshëm me Policinë e Kosovës për veprimet që do të evitonin ndonjë incident në një situatë të paqartë.
"Që nga dita e paralajmërimit të nisjes së një treni të tillë nga Serbia me ikonografi dhe me mesazhe të skajshme nacionaliste që do të provokonin emocione tek secili qytetar i Republikës së Kosovës, MPB-ja ka qenë në koordinim të përditshëm me Policinë e Kosovës", tha ai, dhe vijoi se, MPB-ja ka trajtuar të gjitha opsionet e mundshme, dhe kemi marrë vendime adekuate nëpërmjet të cilave është zbatuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e në anën tjetër, ndërkaq, është evituar mundësia e ndonjë incidenti që do të shkaktohej pas situatës së krijuar, tha ministri Hyseni.
Lidhur me këto vendime, sqaroi ai më pas, nuk është vepruar ad- hoc dhe përmendi faktin se ka pasur takime të shumta midis dikastereve kryesore në vend, për veprimet që do të ndërmerren në rast se ai tren niset drejt Kosovës. "Të gjitha këto veprime paraprake janë bërë me qëllim që të jemi në funksion të parandalimit të atij treni, dhe po ashtu, t'i bindim autoritetet në Beograd që të mos bëjnë provokime të tilla.
Ne iu kemi dërguar atyre mesazhe të qarta se ai tren nuk mund të hyjë në Kosovë, sepse, është linjë hekurudhore e palicencuar dhe e paligjshme", tha Hyseni. Ministri Hyseni, vlerësoi se, Policia e Kosovës e ka kryer punën e vet në mënyrë të shkëlqyer, ndërkaq, nisjen e trenit nga ana e Serbisë me slogane urrejtjeje dhe konflikt nxitëse, e konsideroi provokim të rëndë, i cili ka mund të shkaktoi incidente të rënda.
Mes tjerash, ministri në vijim po ashtu sqaroi se planet e policisë nuk kanë mundur të zbulohen paraprakisht, ngase sipas tij, dërgimi më herët i Policisë atje do të ngjallte situate dhe reagime të tjera.
Në vijim, ministri Hyseni u bëri thirrje të gjithëve që të jenë të vëmendshëm gjatë kësaj periudhe, ngase sipas tij, Serbia mund të përfitoj duke inskenuar rrethana të tilla të ndryshme, duke përmendur faktin se janë 3-4 muaj shumë të ndjeshëm që mund të prodhojnë situata të ndryshme.
Krejtësisht në fund, ai ka folur edhe në lidhje me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në Francë. Ai e quajti si të papranueshëm arrestimin e tij në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia, ndërkaq, është përgjigjur edhe në çështje tjera që u ngritën nga anëtarë të Komisionit.
Edhe kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, ka përgëzuar ministrin Hyseni për ndaljen e trenit nga Serbia që të hyjë në Kosovë nga forcat e policisë së Kosovës.
Ndërsa, në vazhdim të këtij takimi folën edhe këta anëtarë të Komisionit: Ganimete Musliu, Anton Çuni, Nuredin Ibishi, Qerim Bajrami, Zafir Berisha, Fatmir Shurdhaj dhe Rexhep Selimi.
Ata theksuan se do ta kenë mbështetjen e plotë dhe të parezervë nga Komisioni për t'i implementuar ligjet në Kosovë dhe se në këtë rast Policia e Kosovës e ka kryer punën e vet konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve.