Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 16.01.2017




Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten, më 19 janar, në orën 10:00, do të mbajë mbledhjen e parë plenare për sesionin pranveror, në të cilën do të zhvillohet një interpelancë, një debat parlamentar dhe do të shqyrtohen disa projektligje. Më 17 shkurt 2017, ndërkaq, do të mbahet seancë solemne, në shënim të 9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.

Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të përgjigjet para deputetëve lidhur me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, në interpelancën e thirrur nga deputeti Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.

Në vijim, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për automjete, si dhe atë për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive. Për herë të dytë, ndërkaq, shqyrtohet Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.

Pas projektligjeve, Kuvendi do të zhvillojë debat parlamentar lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë.

Në fund, do të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe një varg çështjesh të tjera. Kështu, u ngarkua komisioni përkatës funksional që të shqyrtojë Projektligjin për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158, të proceduara nga qeveria, pas kërkesës së Kuvendit për mendim.

Dy projektligje të tjera, ndërkaq, ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i hartuar nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, dhe Projektligji për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, i hartuar nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, iu dërguan qeverisë për mendim.

Në vazhdim, Kryesia u njoftua me procedimin në Kuvend nga ana e Qeverisë, të Programit Legjislativ për vitin 2017 dhe vendosi që i njëjti t'u shpërndahet të gjithë deputetëve. Kryesia kërkoi nga komisionet e Kuvendit që deri më 27 janar të dorëzojnë planet e tyre të punës për këtë vit, të hartuara konform këtij programi.

Më pas, Kryesia shqyrtoi dhe miratoi Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2016, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa. U miratua, gjithashtu, kërkesa e Komisionit për Punë të Jashtme për mbajtjen e Samitit të kryetarëve të komisioneve për Punë të Jashtme të vendeve të BE-së dhe Ballkanit, i cili planifikohet të mbahet në Prishtinë, nga 19-22 shkurt 2017.

Kryesia miratoi edhe kërkesën e disa deputetëve të Kuvendit për ndërtimin e qendrës për takimet "Lutjet e Mëngjesit" dhe të njëjtën e procedoi në Komisionin për Buxhet dhe Financa, prej nga pritet të dalë rekomandimi për seancë plenare.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit