Lajmet e fundit

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Marte, 10.01.2017




Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti), u mbajt debati parlamentar në lidhje me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë.

Kërkesa për mbajtjen e këtij debati parlamentar nga 43 nënshkrime të deputetëve, u paraqit nga kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj. Me këtë rast ai sqaroi se më 4 janar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar në aeroportin e Bazelit sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ndërkaq shtoi se vendimi për tu mbajtur z. Haradinaj në paraburgim është i papranueshëm.

"Kosova është shtet i pavarur dhe qytetarët e saj nuk mund të ndalohen nga urdhër arreste të Serbisë, që si të tilla nuk kanë bazë ligjore. Vendimi për paraburgim të z. Haradinaj është i papranueshëm mbi bazën e një fletë-arresti të Serbisë për krimet e pretenduara, për të cilat z. Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga organet ndërkombëtare të drejtësisë", tha me këtë rast Lekaj, duke bërë të ditur se në bazë të këtij debati do të nxirren edhe rekomandimet.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, duke shprehur fillimisht shqetësimin për ndalimin e padrejtë të z. Haradinaj në Francë, tha se edhe sot në Kuvend fatkeqësisht po vazhdon të flitet për një rast të tillë të përsëritur, raste të cilat kanë ndodhur disa herë edhe me persona tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në luftën për çlirim dhe që janë në listat e Serbisë.

"Kërkojmë nga institucionet tona që të punojnë me institucionet ndërkombëtare dhe që të mos lejohet që Serbia të abuzojë përmes Interpolit me fletë-arreste për njerëzit e Kosovës", tha Pajaziti, duke shtuar se shqetësimi nuk lidhet me Francën, por me institucionet e Serbisë, me përpjekjen që po e bënë Beogradi me pengimin e normalizimit të marrëdhënieve.

"Ne duhet ta falënderojmë shtetin e Francës për mbështetjen dhe duhet të apelojmë përmes institucioneve tona që Franca të veprojë në favor të lirimit të z. Haradinaj", tha Pajaziti.

Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së, duke shprehur fillimisht shqetësimin për ndalimin e z. Haradinaj në Francë, tha se kjo seancë duhet të jetë solidaritet, mbështetje institucionale për z. Haradinaj, për luftën e drejtë dhe vetëm kështu mund t'i ndihmohet atij.

Beqiri tha se ndalimi i z.Haradinaj nga një fletarrestim i tillë politik është një veprim që i ka shqetësuar të gjitha institucionet e Kosovës. Duke e quajtur fletë-arrestimin për Ramush Haradinajn të bazuar politikisht, Beqiri tha se kryetari i AAK-së dy herë ka dëshmuar pafajësinë e tij para organeve të drejtësisë, ndërsa shfaqi besimin se edhe këtë herë ai do ta dëshmojë këtë.

Ismajl Kurteshi, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, fillimisht theksoi faktin se arrestimi i z. Haradinaj është si pasojë e negociatave të Kosovës me Serbinë, duke shtuar me këtë rast se stabilitet në vend nuk mund të ketë në një rajon ku Serbia ndërhyn sa herë të dojë në Kosovë.

"Këto bisedime pa parime ia kanë hapur rrugën Serbisë drejt BE-së, ndërsa Kosova po mbetet e izoluar", tha Kurteshi, duke shtuar se për bisedimet me Serbinë dhe me çdo shtet tjetër duhet të caktohen parimet.

Sipas tij qeveritarët kanë hyrë në negociata me Serbinë pa status të përcaktuar të Kosovës. "Kjo nuk do të thotë se nuk duhet negociuar me Serbinë, por para se të hysh në negociata duhet të tregosh qëllimet e qarta që duhet të respektohen nga palët ", tha Kurteshi, duke shtuar se pranimi i statusit të padefinuar të Kosovës ende pa filluar negociatat e ka caktuar fatin e dialogut.

"Të pranosh të negociosh si vend pa status, ta zavendësosh republikën me fusnotë, të pranosh të diskutosh për rregullimin e brendshëm me një shtet që nuk na njeh, kjo është shkelje e kushtetutës dhe sakrificës së shumë gjeneratave", tha Kurteshi, duke shtuar se është koha e fundit që të kuptohet se lëshuarja pe në këtë masë nuk është e mirë as për Serbinë e lerë më për Kosovën.

Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, tha se sot, ne ende duhet të shikojmë e të flasim, se si shumë shtete po na i arrestojnë çlirimtarët tonë vetëm se nuk e duruan represionin e regjimin e Serbisë."Serbia lëshon fletë-arreste pa asnjë bazë legale, por vetëm të dedikuara kundër shqiptarëve, çlirimtarë të vendit të vet", tha Lekaj, duke shtuar se beson që ish-kryeministri Haradinaj do të lirohet dhe do t'i mundësohet vazhdimi i agjendës së tij, si lider politik i Kosovës, të cilën për asnjë çast nuk e ndau nga vetja.

"Luftëtarët e luftës çlirimtare të Kosovës, çfarë është edhe Ramush Haradinaj, janë të shenjtë, sepse këta kanë qenë të gatshëm ta japin jetën për të qenë ne sot të lirë. Ju, Qeveria e Kosovës, jeni të pafuqishme për t'i dalë zot sovranitetit të Kosovës meqë nuk është hera e parë që arrestohet Kosova, duke na u arrestuar zyrtarë qeveritarë e politikë me pasaporta diplomatike. Dorëhequni dhe lejojeni Kosovën të bëhet me dinjitet, e fortë, e pastër pa njolla, ashtu siç e deshën edhe bashkëluftëtarët e z. Haradinaj, që janë dëshmorë, po njëjtë siç e dëshiron, e për çka angazhohet edhe vet sot Ramushi", theksoi Lekaj. Ai shtoi se ky nënshtrim i Kosovës, përballë presionit serb, përmes disa lobingjeve në shtete të tjera, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

"Ramush Haradinaj duhet të kthehet në Kosovë, atë sa ma shpejt duhet ta ktheni këtu, të lirë, në vendin e vet, sikur secili nga ne që jemi. Duhet tu bëhet me dije të gjithëve, miqve e armiqve, se Ramushi sot është Kosova", tha Lekaj.

Ndërsa Valdete Bajrami, kryetare e grupit parlamentar të NISMA për Kosovën, tha mes tjerash se qeveria po harron obligimet që ka, duke përmendur me këtë rast rezolutën e Kuvendit, nëpërmjet të cilës i është kërkuar qeverisë që të kërkojë nga Brukseli pastrimin e menjëhershme të listave, të fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së.

"Po të kërkohej kjo nga qeveria pas asaj seance, nuk do të ndodheshim sot këtu" , tha Bajrami, duke kritikuar në vijim Qeverinë.

"NISMA kërkon që sa më parë të lirohet z. Haradinaj dhe kërkojmë nga ju që të bëni detyrat siç i lejon Kushtetuta e vendit ose të shkoni në shtëpi", tha Bajrami, duke kërkuar që të bëhen hapat adekuat që të lirohet z. Haradinaj.

Në vijim ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Pasi shprehu shqetësimin e tij për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të AAK-së, z. Haradinaj, Mustafa tha se të gjitha dikasteret kompetente të qeverisë janë vënë në veprim dhe po kontribuojnë në çdo formë në mënyrë që z. Haradinaj të kthehet sa më shpejt në Kosovë.

"Qeveria po punon intensivisht që këto akuza të padrejta dhe tendencioze të Serbisë të refuzohen si të tilla nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë", tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se janë duke u bërë përpjekje maksimale që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL. Ai shtoi se me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e EUROPOL, fletëarrestet e motivuara politikisht do të hiqen.

Ai tha se beson se institucionet e Francës do të marrin vendim të shpejtë që z. Haradinaj të kthehet shpejt në Kosovë dhe që veprimet e tilla nuk do të ndodhin më ndaj qytetarëve të Kosovës.

"Haradinaj ka qenë kryeministër i Kosovës për një periudhë dhe kryetar i një force të rëndësishme politike në vend, si dhe është shquar për orientimin e tij pro-evropian dhe nuk shohim asnjë arsye që ai të mbahet në Francë", tha kryeministri Mustafa.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit të tij para deputetëve, ka sqaruar të gjitha kontaktet e vazhdueshme që ai ka pasur me qeverinë e Francës për të mundësuar lirimin sa më të shpejt të z. Haradinajt.

"Ndalimi i z Haradinaj në Francë ka qenë goditje për Kosovën, sepse ai është hero lufte, ish-kryeministër dhe lider i një partie të rëndësishme parlamentare të Kosovës. Nga e mërkura e javës së kaluar e deri në këtë seancë, angazhimi im ka qenë maksimal që z. Haradinaj të lirohet sa më shpejt", tha ministri Hoxhaj, duke shtuar se kanë ofruar garanci shtetërore që z. Haradinaj të kthehet në Kosovë dhe se u kanë sqaruar autoriteteve franceze se fletë-arrestet e Serbisë janë të papranueshme dhe të motivuara politikisht.

Me këtë rast ai foli edhe për raportet e mira që ka Kosova me Francën. Pastaj përmendi faktin se veprimet e Serbisë po e rrezikojnë dialogun me Kosovën, duke theksuar se kanë parandaluar vizitën e Nikoliqit në Kosovë. Hoxhaj shtoi se në të ardhmen do të ndërmerren veprime reciproke në raport me Serbinë.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, gjatë fjalimit të saj tha mes tjerash se ndalimi i kryetarit të AAK-së paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut nga Serbia, shteti që kreu krimet monstruoze në Kosovë.

Duke sqaruar dërgimin e dy letrave, si notë proteste diplomatike në Ministrinë e Drejtësisë në Francë për lirimin e z.Haradinaj, ajo tha se Ministria e Drejtësisë ka ofruar prova në bazë të rasteve të mëhershme dhe ka argumentuar që ndalimi i tij është kryekëput politik dhe i pabazë.

"Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe të nevojshme për lirimin sa më të shpejt të z. Haradinaj", tha ministrja Hoxha, duke sqaruar në vijim se MD në bashkëpunim me MPJ, Ambasadën e Kosovës në Francë, si dhe Policinë e Kosovës, ka dërguar edhe shkresën e tretë për lirimin e z. Haradinaj si dhe për moslejimin e ekstradimit të tij në Serbi.

Ministrja Hoxha tha se kanë kërkuar nga Interpoli heqjen e emrave të listave nga Serbia dhe se veprimet e Interpolit nuk duhet të shqyrtohen pa pëlqimin e Republikës së Kosovës. Ajo sqaroi se këtë kërkesë e ka bërë përmes UNMIK-ut.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se absurditeti i ndalimit të z. Haradinaj nuk mund të përshkruhet me fjalë, duke përmendur me këtë rast faktin se z. Haradinaj e ka dëshmuar pafajësinë e tij në dy raste.

Ministri Hyseni mes tjerash tha se beson se drejtësia franceze nuk do të manipulohet nga fletë-arrestet serbe.

"Haradinaj ka dëshmuar pafajësinë e tij në dy raste dhe jam i sigurt që me të njëjtën fuqi dhe kurajë beson edhe sot në drejtësinë franceze. Besoj plotësisht se drejtësia franceze do të dominojë mbi absurditetin e paskrupullt të Serbisë", tha Hyseni.

Në këtë diskutim kontribuuan edhe këta deputetë: Melihate Tërmkolli, Safete Hadërgjonaj, Puhie Demaku, Time Kadrijaj, Fatmir Limaj, Besim Beqaj, Shpejtim Bulliqi, Rexhep Selimi, Ali Berisha, Zafir Berisha, Agim Aliu, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Bali Muharremaj, Shukrie Bytyqi, Shaip Muja, Ilir Deda, Abdyl Ymeri, Anton Çuni dhe Lahi Ibrahimaj. Pas pauzës, ndërkaq, kanë diskutuar deputetët: Ganimete Musliu, Teuta Haxhiu, Haxhi Shala, Mytaher Haskuka, Labinotë Murtezi,Veton Berisha, Enver Hoti, Adem Grabovci, Rrustem Berisha, Gëzim Kelmendi, Emilija Rexhepi, Agim Çeku, Fatmir Shurdhaj, Bekim Haxhiu, Selvie Halimi, Luljeta Veselaj-Gutaj, Flora Brovina, Nurdin Ibishi, Blerta Deliu-Kodra, Nehat Baftiu, Nait Hasani, Xhevahire Izmaku, Nezir Çoçaj, Sala Berisha-Shala, Hajdar Beqaj, Sabri Hamiti (nënkryetar i Kuvendit, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë).

Më pas, qëndrimin e qeverisë, para deputetëve e paraqiti edhe njëherë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Aktakuzën e Serbisë ndaj Ramush Haradinajt dhe procesin në tërësi, ai e konsideroi politik, duke vlerësuar se kjo paraqet çështje të sovranitetit të Kosovës dhe pozitës së saj në mekanizmat ndërkombëtarë, përkatësisht në Interpol.

Pas shterjes së debatit, kryetari i GP të AAK-së, Pal Lekaj, prezantoi projektrezolutën, nëpërmjet të cilës, ndër të tjera, kërkohej lirimi pa kusht i Ramush Haradinajt nga arresti, si dhe i kërkohej Qeverisë së Kosovës ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve të lëshuar nga Serbia, kundër ish-udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol. Kërkohej po ashtu, dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë. Lekaj bëri të ditur se për dy pikat e fundit nuk është arritur konsensusi me të gjitha grupet parlamentare.

Deputeti Ilir Deda, në cilësi të bashkëpropozuesit të projektrezolutës së dytë, njoftoi tërheqjen e saj, në mungesë të konsensusit.

Përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Elmi Reçica në emër të GP të PDK-së dhe Sali Morina në emër të atij të LDK-së, u pajtuan me tri pikat e para të projektrezolutës së AAK-së, ndërsa shprehën rezervat e tyre përkitazi me dy pikat e fundit. Driton Çaushi nga Vetëvendosje dhe Valdete Bajrami nga Nisma, shprehën mbështetjen e grupeve që përfaqësojnë, për këtë projektrezolutë. Më pas diskutuan edhe deputetët Melihate Tërmkolli, Zafir Berisha dhe Shukri Buja.

Kryetari Veseli bëri thirrje që të shqyrtohet edhe njëherë mundësia e arritjes së një konsensusi midis grupeve parlamentare, në funksion të nxjerrjes së një rezolute unike, duke i shërbyer kështu më së miri çështjes për të cilën është thirrur kjo seancë e jashtëzakonshme, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendit në përgjithësi. Ai po ashtu e vlerësoi të rëndësishme futjen e një pike nëpërmjet të cilës do t'u kërkohej organeve franceze të drejtësisë lirimi i Ramush Haradinajt, duke ruajtur njëkohësisht raportet e mira fqinjësore që Kosova kultivon me Francën.

Në këtë situatë, Pal Lekaj shprehu gatishmërinë për të diskutuar edhe njëherë mundësinë për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, e cila do të pasqyrohej në projektrezolutë.

Pas një pushimi, kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se as këtë radhë nuk është arritur pajtueshmëri dhe se tani para deputetëve janë dy projektrezoluta të propozuara: njëra e GP të AAK-së dhe tjetra e GP të PDK-së dhe atij të LDK-së.

Të dy rezolutat u hodhën në votim, por për asnjërën prej tyre nuk pati kuorum për vendimmarrje. Projektrezoluta e AAK-së u votua nga 36 deputetë, prej të cilëve 28 votuan për, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa ajo e propozuar nga PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 votuan për, 6 ishin kundër, ndërsa 3 të tjerë abstenuan.

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e KuvenditNga mbledhja e jashtëzakonshme e KuvenditNga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit