Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës
E Premte, 30.12.2016
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila ishte thirrur për ditën e djeshme, por që nuk kishte arritur të mbahej për mungesë kuorumi të deputetëve, është mbajtur sot (e premte më 30 dhjetor 2016) . Në këtë seancë, t ë drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit ( një pjesë të saj e ka kryesuar nënkryetari , Sabri Hamiti),deputetët kanë shqyrtuar për here të parë i Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i GP të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka propozuar shmangie nga Rregullorja e Kuvendit, në mënyrë që projektligji në fjalë të shqyrtohet në procedurë të përshpejtuar (të dy shqyrtimet në të njëjtën ditë).
Menjëherë ka dalë në foltore deputetja Xhevahire Izmaku, e cila në emër të deputetëve të grupeve parlamentare të PDK-së dhe të LDK-së ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të protestojnë pesë minuta, duke u ngritur në këmbë, kundër fyerjes që ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i ka drejtuar ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Derisa shumica e deputetëve qëndronin në këmbë, në foltore ka dalë deputeti Daut Haradinaj,i cili ka kërkuar që nëse protestohet kundër fyerjeve, atëherë duhet filluar nga fyerjet e titullarëve të lartë shtetërorë që fyejnë deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në këtë frymë ka diskutuar edhe deputetja Shqipe Pantina, e cila ka përmendur raste kur në Kuvend të Kosovës janë fyer deputete dhe nuk ka reaguar askush. Arben Gashi, ndërkaq, duke u deklaruar kundër fyerjes që i është bërë ministres së Drejtësisë, ka mbajtur qëndrim që çështje të tilla të mos sillen në Kuvendin e Kosovës, por me te të merret drejtësia.
Pas kësaj në foltore ka dalë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke shfaqur habinë e tij që, siç është shprehur ai, një veprimtar i tillë i çështjes kombëtare, si Sami Kurteshi, të lëshohet në fyerje të tilla. Në këtë sens , në emër të botës mashkullore ai u ka kërkuar falje të gjitha femrave që mund të jenë fyer.
Duke iu kthyer çështjes për të cilën ishte ftuar seanca, Ligjit për veteranët e UÇK-së, deputeti Sali Morina, në emër të GP të LDK-së i ka dhënë mbështetje propozimit të GP të PDK-së për shqyrtim të përshpejtuar të këtij projektligj.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare opozitare (LVV, AAK dhe NISMA), Rexhep Selimi, Pal Lekaj dhe Enver Hoti, ndërkaq,e kanë vlerësuar të panevojshme ngutjen për shqyrtim të dyfishtë të projektligjit.
Megjithëkëtë , me shumicë votash të deputetëve ( kërkoheshin dy të tretat e votave të deputetëve), është vendosur që Projektligji të kaloi sot të dy shqyrtimet me procedurë të shpejtuar.
Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka arsyetuar para deputetëve ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai ka pohuar se qëllimi i projektligjit është kategorizimi sipas periodave kohore i kontributit të individëve në luftën e UÇK-së: kategoria I, nga 1991 deri në përfundim të luftës; II, nga 1998 deri në përfundim të luftës dhe III, nga marsi i vitit 1999 deri në përfundim të luftës. Pjesëtarët e UÇK-së do të përfitojnë paga, sipas kategorive respektive , në vlerë prej 250 euro, 170 euro dhe 120 euro. Ai ka theksuar se lidhur me Projektligjin MPMS-ja është konsultuar edhe me FMN-në, i cili institucion ka kërkuar që vlera financiare për kontributin veteranëve të UÇK-së të mos kalojë 0.7 për qind të brutoproduktit vendor, si dhe ka përmendur dy-tri shqetësime të FMN-së lidhur me projektligjin e propozuar,e që konsistojnë me gjysmën e pagës për pjesëtarët e UÇK-së, që punojnë në bizneset private dhe për pagën e trashëgimtarëve të veteranëve të vdekur.
Kryeministri, Isa Mustafa, ngutjen për shqyrtimin e Projektligjit e ka arsyetuar me insistimin e FMN-së që çështja të përmbyllet brenda këtij viti Duke e përmendur numrin e shtuar të veteranëve të luftës , ai ka pohuar se sipas rekomandimeve të FMN-së, mund të sigurohen rreth 38 milionë euro, ndërkohë që nga numri i veteranëve të certifikuar kërkohen rreth 60 milionë euro. Për shkak të listave të fryra të veteranëve të luftës, Mustafa ka pohuar se Kosova ka humbur 195 milionë euro donacione , si dhe ka shprehur brengosjen e tij se nëse çështja nuk rregullohet Kosova rrezikon të humbë edhe investime të mëdha nga kredi dhe grante ndërkombëtare.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka shfaqur kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës po e përmbyll këtë sesion me miratimin e plotësimit të Ligjit për Veteranët e UÇK-së. Ai, ndërkaq ka pohuar se projektligji i ofruar nuk i zgjidh të gjitha problemet e veteranëve , por ka mbajtur qëndrim se megjithatë është më mirë që çështjet të zgjidhen hap pas hapi. Ai e ka vlerësuar modeste ndihmën prej 250 euro për familjarët e veteranëve që nuk janë gjallë, ndërkaq ka kërkuar që me këtë projektligj veteranët e luftës së UÇK-së të mos eliminohen nga tregu i punës në Kosovë. Gjatë fjalës së tij Veseli ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatave të luftëtarëve të lirisë për kontributin e dhënë për hartimin e projektligjit.
Projektligjit i kanë dhënë mbështetje, Hatim Baxhaku, në emër të komisionit funksional për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale,Fadil Beka ( GP i PDK-së), Sali Morina ( GP i LDK-së) dhe Duda Balje në emër të GP 6+, e cila ka shprehur kënaqësinë se me projektligj satisfaksionohen edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak që i kontribuuan lirisë së Kosovës.
Në emër të GP të LVV-së, Rexhep Selimi e ka kundërshtuar Projektligjin duke theksuar se subjekti i tij nuk do të jetë pjesë e mashtrimit të pjesëtarëve të UÇK-së dhe të familjeve të dëshmorëve. Ai e ka kundërshtuar edhe kategorizimin e veteranëve, duke e quajtur kategorizim financiar në vend se UÇK-ja të vlerësohej kategori historike dhe kombëtare.
"Ky ligj edhe një herë po e shti thikën e ndarjes mes pjesëtarëve të luftës", e ka filluar fjalën e tij përfaqësuesi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj . Ai është shprehur i prerë se në vitin 1991 nuk ka pasur kurrfarë UÇK-je, si dhe ka mohuar kompetencën e kujt do qoftë që të bëjë kategorizime të tilla të çlirimtarëve.
Në debatin e sotëm rreth Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë deputetë të shumtë të Kuvendit të Kosovës:Ismet Beqiri, Sevdie Halimi, Faton Topalli, Rrustem Berisha, Maxhide Mjaku, Armend Zemaj, Adem Salihaj, Elmi Reçica, Haxhi Shala, Albin Kurti, Adem Grabovci, Nuredin Ibishi, Shukrie Bytyqi, Bekim Haxhiu, Milazim Haliti, Shukri Buja, Muhamet Mustafa dhe Ismajl Kurteshi,
Derisa nga gjysma e debatit të sotëm e ka marrë fjalën nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, e cila folur në emër të shumë bashkëluftëtarëve të saj ,të cilët e kishin porositur atë ta kundërshtonte kategorizimin e veteranëve të luftës, nga lozha e sallës së Kuvendit (për mysafirë) ka pasur reagime të zhurmshme mospajtuese të disa përfaqësuesve të shoqatave të pjesëtarëve të UÇK-së, për ç'arsye kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, e ka ndërpre seancën duke kërkuar pauzë.
Po nga gjysma e debatit kryeparlamentari Veseli i ka njoftuar deputetit se në hollin e Kuvendin po qëndrojnë një grup i familjarëve të personave të zhdukur, të cilët nuk e kishin paralajmëruar vizitën. Duke i mirëkuptuar ata, kreu i Kuvendit ka kërkuar nga deputetët të mbajnë një minutë heshtje për personat e pagjetur.
Në përfundim të seancës disa herë është provuar të hidhej në votim miratimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke e parë se kishte problem me kuorum, kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, kërkoi pauzë prej një ore.
Pas pauze dhe një pritjeje prej më shumë se një ore shtesë, kryetari i Kuvendit , Kadri Veseli, ka konstatuar se është siguruar kuorumi pre 62 deputetësh.
Në përfundim, me shumicë votash të deputetëve, është miratuar në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuvendi i ka autorizuar komisionin funksional dhe komisionet e përhershme që urgjentisht ta shqyrtojnë projektligjin në fjalë dhe të propozojnë amendamentet, para shqyrtimit të dytë, i cili do të mbahet po në ditën e sotme.
Me propozim të kryetarit të GP të PDK-së, Zenun Pajaziti, në vend të znj. Flora Brovina, kryesues i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale , deputetët me shumicë votash e kanë zgjedhur deputetin, Nehat Baftiu.
Seanca e re për shqyrtimin e dytë të projektligjit do të mbahet sonte në orën 18:15.