Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 29.12.2016




Ka vazhduar sot mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me votimin e katër pikave të mbetura nga mbledhja e datës 23 dhjetor.

Kështu, Kuvendi miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për faljen e borxheve publike, si dhe atë për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive, me amendamente të komisioneve funksionale.

U miratua, gjithashtu, raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158.

Në fund, Kuvendi, me 72 vota për, miratoi Rezolutën lidhur me ndërtimin e murit në mënyrë ilegale në pjesën Veriore të Mitrovicës, të cilin e lexoi kryetari i GP të AAK-së, Pal Lekaj, të harmonizuar me Grupin Parlamentar të PDK-së, atë të LDK-së, të Vetëvendosjes dhe atë Nismës.

Nëpërmjet kësaj rezolute, kërkohet rrënimi i murit ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, brenda muajit janar të vitit 2017. Nga Qeveria kërkohet, gjithashtu, të angazhohet që organet kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje, t'i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për murin, duke e trajtuar atë si veprim politik dhe ndërtim pa leje.

Rezoluta parasheh po ashtu, që Qeveria të marrë masat e nevojshme që të mos ndryshohet plani i Urës së Ibrit dhe e njëjta t'i përmbajë të gjitha elementet që i kishte para vitit 1999, duke mos lejuar elemente të tjera ilegale, siç janë muri dhe shkallët.

Në pikën e fundit të rezolutës, kërkohet që qytetarëve të zhvendosur t'u mundësohet kthimi sa më i shpejtë në të dy pjesët e qytetit të Mitrovicës.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit