Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisioni për zhvillim ekonomik ...
E Marte, 27.12.2016
Komisioni për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, i kryesuar nga z. Muhamet Mustafa, kryetar, diskutoi sot për Programin e Kosovës për Reforma Ekonomike.
Ne emër të Qeverisë këtë program e paraqiti ministri i financave z. Abdullah Hoti, i cili para Komisionit tha se Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të tretë do t'i dorëzoj; Komisionit Evropian Programin e Reformave në Ekonomi si pjesë e dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së. PRE mbulon periudhën afatmesme (tri vjeçare), që duhet të përfshijë: kornizën makro-fiskale dhe politikat fiskale, duke përfshirë masat mbështetëse fiskale dhe një agjendë gjithëpërfshirëse të reformave strukturore duke pasqyruar politikat publike lidhur me menaxhimin e financave publike; energjinë, tansportin dhe telekomunikacionin; zhvillimet sektoriale; mjedisin e të bërit biznes dhe uljen e ekonomisë jo-formale; hulumtimin dhe inovacionin; tregtinë e jashtme dhe lehtësimin e investimeve; arsimin dhe shkathtësitë; punësimin dhe tregun e punës; përfshirjen sociale, uljen e varfërisë, dhe mundësitë e barabarta.
Anëtaret e Komisionit e përkrahen këtë program dhe njëherësh dhanë propozime që ai të plotësohet në fusha përkatëse.
Po ashtu, në këtë mbledhje Komisioni diskutoi edhe për Rekomandimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit të Postës së Kosovës më Ministrin e Punëve të Brendshme dhe komunat; ecurinë e zbatimit të Ligjit për Trepçën, si dhe u njoftua me tërheqjen e Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, nga ana e Qeverisë.