Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Premte, 23.12.2016
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar sot punën, me shqyrtimin e pikave të mbetura nga punimet e mbledhjes së djeshme plenare.
Kështu, në këtë vazhdim seance, të cilin e drejtoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, Kuvendi shqyrtoi për herë të parë dhe miratoi Projektligjin për shërbime, të cilin, para deputetëve, e prezantoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, u miratua Projektligji për ndihmën shtetërore, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, si dhe ai për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, me amendamentet e propozuara nga komisionet përkatëse funksionale.
U miratuan, gjithashtu, amendamentet e komisionit funksional të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për faljen e borxheve, si dhe ato të Projektligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive, por, për miratimin e projektligjeve në tërësi, nuk pati kuorum për votim.
Kuvendi shqyrtoi edhe raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për minierat dhe mineralet, të cilin e prezantoi deputetja Sala Berisha-Shala. As për këtë raport nuk pati kuorum për votim.