Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 22.12.2016
Kuvendi i Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, mbajti sot seancën e radhës, në të cilën janë shqyrtuar një varg projektligjesh.
Në fillim të kësaj seance, deputeti, përkatësisht, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ngriti mocionin që dy pikat e përhershme gjatë seancave të rregullta plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, si dhe pika e dhjetë e rendit të ditës: debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë tjerë lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të hiqen nga rendi i ditës së kësaj seance.
Po ashtu, ai propozoi që shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, të bëhet po sot, në një seancë tjetër.
Mocion paraqiti edhe deputeti, Pal Lekaj. Ai kërkoi që sot në Kuvendin e Kosovës të zhvillohet debat lidhur me murin që po ndërtohet në Mitrovicën e Veriut. Ai njoftoi se lidhur me këtë, AAK-ja ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Mustafa, ndërkaq ,deklaroi se, nëse sot zhvillohet debati, ata do të tërheqin kërkesën për interpelancë.
Propozimi i deputetit të AAK-së, Lekaj, u mbështet edhe nga pjesa tjetër e opozitës, ndërkaq, u kritikua ashpër mocioni i LDK-së, i cili u përkrah nga Grupi Parlamentar i PDK-së, 6+ dhe LS.
Në këtë seancë, lidhur me rendin e ditës u paraqitën edhe kërkesa të tjera, e që kishin të bënin me shqyrtimin e disa projektligjeve në lexim të dytë.
Pas kësaj, kreu i Kuvendit, Veseli, i hodhi në votim propozimet e shfaqura, dhe lidhur me këtë, Kuvendi me shumicë votash vendosi që të përkrahë mocionin e kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Beqiri.
Lidhur me kërkesën e deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ndërkaq, u vendos që debati të zhvillohet nesër në një mbledhje të veçantë.
Pas kësaj, fjalën e mori kryetari i Grupit Parlamentar i Listës Serbe, Sllavko Simiq, i cili vuri në dukje arsyet e kthimit të tyre në punën e Kuvendit.
Me këtë rast, Simiq, vlerësoi se, ndonëse në Kuvendin e Kosovës nuk janë krijuar kushte shumë të mira që ata të zhvillojnë aktivitetin e tyre, megjithatë, tha ai, ne do të angazhohemi që të përmirësojmë kushtet e jetës për komunitetin tonë.
Kthimin e tyre në Kuvend e përshëndeti kryeparlamentari Veseli, ndërkaq, deklarimet e deputetit, Simiq, u kritikuan nga deputetja Teuta Haxhiu.
Në vijim të mbledhjes, e cila u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, u procedua me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Avdullah Hoti, i cili, ndër të tjera u shpreh: "Ky Projektbuxhet bazohet plotësisht në dokumentet strategjike që i ka të aprovuara Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu edhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin e Qeverisë dhe Programin për Reforma Ekonomike". Duke folur për investimet e parapara, ministri Hoti, sqaroi në detaje investimet në secilin sektor të paraparë. Me këtë projektbuxhet, vijoi ministri, synojmë të arrijmë dy objektiva: të krijojmë hapësirë më të madhe për investime kapitale, si dhe t'i mbajmë nën kontroll shpenzimet rrjedhëse.
Pasi që njoftoi se projektbuxheti i propozuar është i harmonizuar në tërësi me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministri u shpreh i bindur se, buxheti i paraparë për vitin që vjen, do ndikojë në një rritje ekonomike më të lartë se 4%.
Pas kësaj, fjalën e mori kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili në fillim të fjalës së tij tha se, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar këtë buxhet, duke trajtuar të gjitha kërkesat zhvillimore dhe kërkesat e tjera, në mënyrë që ato t'i mbështesim përmes këtij buxheti . "Si kryeministër i vendit, vlerësoj se ne kemi arritur që Republikës së Kosovës në vitin 2017 t'i ofrojmë një buxhet, i cili siguron zhvillim dhe i cili reflekton në mënyrë të drejtpërdrejt programin tonë qeveritar, programin e koalicionit qeveritar, si përkushtim tonin të përbashkët për zhvillimin e vendit, si përkushtim për rritjen ekonomike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenien sociale dhe po ashtu edhe për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit" tha kryeministri, Mustafa.
Unë vlerësoj, u shpreh në vijim kryeministri, se puna dyvjeçare e këtij koalicioni ka dhënë rezultate konkrete në përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend, ndërkaq, duke folur lidhur me zhvillimin ekonomik, ai tha: "Në vitin e kaluar kemi pasur një rritje ekonomike prej 4.1 për qind dhe këtë vit presim që rritja ekonomike të jetë më e lartë dhe po ashtu planifikojmë rritje edhe më të lartë ekonomike në vitin 2017".
Kjo rritje ekonomike prej 4.1 për qind e realizuar deri më tani, sqaroi kryeministri Mustafa, është mbi rritjen ekonomike të vendeve në regjion dhe po ashtu është më e lartë se rritja ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian, mirëpo gjithmonë pa e pasur parasysh bazën zhvillimore të atyre vendeve, e cila është e pakrahasueshme me bazën zhvillimore të vendit tonë.
Dëshiroj të them, vijoi më pas kryeministri, se ky buxhet është refleksion i reformave dhe i avancimit të parametrave makroekonomik, është po ashtu refleksion i përmirësimit të ambientit në përgjithësi të të bërit biznes në vendin tonë, i cili ambient u konfirmua edhe me Raportin e fundit të Bankës Botërore, që theksoj se Kosova ka bërë progres sa i përket kësaj.
Në fund të fjalës së tij, i pari i ekzekutivit të vendit, Mustafa, vlerësoi: "Përmes këtij buxheti, për herë të parë prej mbi 2 miliardë euro, Qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale në mbi 700 milionë euro ose mbi 45 për qind në vitin e ardhshëm, në krahasim me këtë që kemi pasur këtë vit. Ne vlerësojmë se këto investime do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit. Rritja e investimeve kapitale, do të përkrahet nga huamarrja, por, rritja e bruto produktit vendor ose GDP-së, është mjaft e lartë, apo dyfish më e madhe sesa borxhi publik, prandaj kjo situatë në asnjë rast nuk e rëndon ngarkesën e bruto produktit vendor me borxhin publik, sepse Kosova edhe ashtu mbetet vendi me nivelin më të ulët të borxhit, ose të pjesëmarrjes së borxhit në bruto produktin vendor".
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Isa Mustafa, tha: "Unë kërkoj nga ju që të përkrahni këtë Buxhet, ta aprovojmë dhe të fillojmë sa më shpejt me implementimin e tij".
Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa foli kryetari këtij Komisioni, Naser Osmani, i cili vuri në pah punën e Komisionin lidhur me këtë Projektligj, ndërkaq, në emër të Grupit parlamenatr të PDK-së, fjalën e mori deputetja Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e Komisionit për Buxhet. Ajo, ndonëse shprehu pakënaqësi lidhur me këtë Projektligj, si dhe shfaqi dyshime në mundësinë e implementimit të tij, në fund bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së, do ta përkrahë atë.
Në favor të këtij Projektligji u deklarua edhe Grupi Parlamentar i LDK-së, në emër të të cilit foli deputetja Besa Gxherri, si dhe Grupi Parlamentar 6+, qëndrimit e të cilit e bëri të ditur Myfera Shinik.
Kundër dhe kritika të ashpra ndaj projektligjit, ndërkaq, shfaqën përfaqësuesit e grupeve opozitare, përkatësisht, Visar Ymeri (VV), Pal Lekaj (AAK) dhe Enver Hoti, nga Grupi Parlamentar i Nisma-s.
Ata e cilësuan ironik deklarimin e kryeministrit Mustafa për rritjen e paraparë ekonomike, ndërkaq, vlerësuan se projektligji i propozuar është sikurse ai i viteve të mëparshme, dhe si i tillë nuk ndikon në rritje ekonomike.
Në vijim, lidhur me këtë Projektligj, qëndrimin e tyre e shprehën një numër i madh deputetësh, përkatësisht: Daut Haradinaj, Faton Topalli, Shpejtim Bulliqi, Besa Baftiu, Blerim Grainca, Shaip Muja, Time Kadrijaj, Shqipe Pantina, Fatmir Rexhepi, Salihe Mustafa, Ali Berisha, Besim Beqaj, Rexhep Selimi, Sali Morina, Emilija Rexhepi, Bali Muharremi, Aida Dërguti, Qerim Bajrami, Salih Salihu, Teuta Haxhiu, Ismajl Kurteshi, Lahi Brahimi, Mytaher Haskuka, Flora Brovina, Veton Berisha, Kujtim Paçaku, Xhevahire Izmaku, Hajdar Beqaj, Bekim Haxhiu, Hatim Baxhaku, Shukri Buja, Abdyl Ymeri, Naim Fetahu, Arben Gashi, Luljeta Veselaj- Gutaj, Nehat Baftiu, Blerta Deliu- Kodra, Melihate Tërmkolli dhe Fisnik Ismajli.
Me këtë rast, u vunë re mospajtime ndërmjet deputetëve, sidomos ndërmjet atyre të pozitës dhe opozitës, të cilët vlerësuan se ndarja buxhetore nuk është e drejtë dhe nuk premton zhvillim ekonomik.
Gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji, deputetë shtruan pyetje dhe kërkuan sqarime nga ministri Hoti, i cili edhe iu përgjigj atyre.
Ai sikurse tha më lart, përsëriti se, Projektbuxheti i vitit të ardhshëm premton zhvillim ekonomik, ndërkaq, po ashtu sqaroi se, kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit mbeten doganat e Kosovës dhe ATK-ja.
Në vijim, Projektligji u hodh në votim dhe mori vota të mjaftueshme (73) për miratim në lexim të parë.
Pas kësaj, Kuvendi ndërpreu punimet për të vijuar nesër nga ora 15:00 me pikat e mbetura, ndërkaq, sikurse është votuar në fillim të seancës, leximi i dytë i këtij Projektligji do të bëhet sot (në orën 21), pas shqyrtimit të tij nga komisionet përkatëse.