Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 21.12.2016
Shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2016, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Naser Osmani.
Shpenzimet e Kuvendit për këtë periudhë kohore para Komisionit i paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Me këtë rast, sekretari i Kuvendit, Krasniqi, vuri në dukje se Raporti është përgatitur në bazë të standardeve të raportimit financiar dhe përmban raporte të përmbledhura e të detajuara.
Më tej, ai njoftoi se totali i shpenzimeve për këtë periudhë kohore arrin në masën 84.73% të buxhetit të përgjithshëm të Kuvendit. Shpenzimet buxhetore, të parapara për këtë nëntë mujor, të paraqitura nga sekretari i përgjithshëm, Krasniqi, ishin si në vijim: për paga dhe mëditje, buxheti i paraparë është realizuar në masën 100%, mallra dhe shërbime 76. 12 %, shpenzime komunale 74.71%, subvencione dhe transfere 66.52% dhe shpenzime kapitale 40.35 %.
Me këtë rast, sekretari u është përgjigjur dhe iu ka ofruar sqarime anëtarëve të komisionit, të cilët pas kësaj e miratuan raportin.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe Projektligjin për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji,
Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Projektligjin për Tregtinë dhe Produktet e Naftës dhe Karburante të Ripërtritshme në Kosovë dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.