Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Mërkure, 21.12.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit Njomza Emini, u shqyrtua projektbuxheti për vitin 2017, për Ministrinë e Integrimit Evropian.
Pjesëmarrës në këtë takim për të dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me buxhetin e kësaj ministrie ishin përfaqësues të Ministrisë së Integrimit Evropian.
Përkitazi me këtë çështje zëvendësministrja e kësaj ministrie Anila Statovci -Demaj dha një pasqyrë të saktë të buxhetit të shpenzuar të këtij viti, si dhe ka folur edhe për planifikimet e kësaj ministrie për vitin e ardhshëm. Ndërkaq, ajo ka njoftuar edhe për vizitën disa ditore që ka zhvilluar në Bruksel, me ç‘rast ka bashkëkryesuar nënkomitetin e parë nën Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si dhe lidhur me takimet që ajo ka pasur me përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Gjatë diskutimit të anëtarëve të Komisionit lidhur me buxhetin e këtij viti të ministrisë, si dhe për planifikimet e buxhetit për vitin e ardhshëm, ata u interesuan për faktin nëse buxheti i ndarë për vitin 2017 i plotëson nevojat e planifikuara të kësaj ministrie. Sqarime në detaje ka dhënë edhe sekretari i përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha, duke sqaruar në detaje kërkesat për plotësim ndryshimin e buxhetit të ministrisë.
Në vijim, Komisioni ka shqyrtuar edhe agjenden për reforma Evropiane (ARE). Përkitazi me këtë ka raportuar edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, për të prezantuar planet lidhur me përmbushjen e kritereve të dhëna për procesin e integrimit evropian. Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit pas shqyrtimit përkrahën Agjenden për reforma Evropiane (ARE), si dhe Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.