Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 21.12.2016




Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga kryetari Faton Topalli, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr.05/L-122, për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.

Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Njësisë Qendrore Harmonizuese, Zyrës Kombëtare të Auditimit, Asociacionit të Komunave, Agjensisë Kosovare të Privatizimit, si dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile.

Me këtë rast drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese, Kosum Aliu, ka prezantuar fillimisht këtë projektligj, duke sqaruar në detaje përmbajtjen e këtij ligji dhe qëllimin. Z. Aliu theksoi se çështje kryesore e trajtuar në këtë ligj është ri-rregullimi i kornizës ligjore të kontrollit të brendshëm të financave publike, nëpërmjet fuqizimit të këtij kontrolli në subjektet e sektorit publik në Republikën e Kosovës.
"Qeveria ka miratuar strategjinë e kontrollit të brendshëm të financave publike 2015-2019. Strategjia përcakton objektivat dhe veprimet në zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit financiar të brendshëm i përbërë nga menaxhmenti financiar i kontrollit dhe auditimit të brendshëm", tha mes tjerash Aliu.

Në vijim kanë diskutuar Ramadan Gashi nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Vahide Grajqevci nga Kuvendi i Kosovës, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave, Labinot Lekaj nga Agjensia Kosovare e Privatizimit, si dhe Mentor Hyseni ( GIZ). Diskutuesit theksuan faktin se çështja e pagave të auditorëve duhet të rregullohet me një nen të këtij ligji dhe të precizohet saktë kjo çështje. Po ashtu, u tha se me këtë rast duhet të rregullohet pavarësia e auditorëve.
Në përgjithësi u vlerësua se nëse nuk rregullohet çështja e pagave të auditorit përmes këtij ligji atëherë nuk mund të ketë pavarësi të auditorëve të brendshëm.

Krejtësisht në fund të takimit, anëtarët e komisionit kërkuan që vërejtjet dhe propozimet të dërgohen me shkrim në Komision dhe vlerësuan se do të angazhohen që ta përfundojnë në një afat sa me të shkurtër këtë projektligj për shkak të rëndësisë së tij.

Komisioni u dakordua që të mbajë edhe një punëtori lidhur me këtë projektligj.

 

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike