Lajmet e fundit
Nga mbledhja e jashtëzakonshme plenare
E Marte, 20.12.2016
Bazuar në kërkesën e 40 deputetëve nënshkrues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, në të cilën zhvilloi debat parlamentar lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Gjatë kësaj seance, një pjesë e së cilës është kryesuar nga nënkryetarët e Kuvendit: Sabri Hamiti e Xhavit Haliti, fillimisht foli kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti.
Ai duke dhënë arsyetimet për mbajtjen e këtij debati, tha se kohë më parë është kërkuar një debat i tillë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se PDK-ja ka hezituar asokohe për shkak se kanë pritur fillimisht të kenë rezultatet e mjekësisë ligjore. "Ftoj të gjithë që të jenë sa më korrekt dhe sa më të bashkuar rreth trajtimit të këtij rasti, i cili është shumë i ndjeshëm. Kërkoj nga ju që të deklaroheni me korrektësi dhe të jeni të matur, për t'i qartësuar të gjitha ato që keni për t'i thënë për rastin Dehari. Shprehim ngushëllimet tona për Astrit Deharin dhe shprehim vullnetin dhe besimin që organet kompetente të punojnë për ndriçimin ë këtij rasti dhe vënien në vend të drejtësisë", tha Pajaziti.
Ai shtoi se ky rast duhet të qartësohet dhe se vetëm një qartësim i këtij rasti do të forcojë besimin në shtet, ndërkaq, shtoi se PDK-ja është e prirë t'i besojë ekspertëve dhe institucioneve përkatëse.
"Jemi të gatshëm të kërkojmë ose të pajtohemi për faktin nëse një kërkesë e tillë del nga deputetët, që të kemi edhe ekspertizë shtesë nga institucionet kredibile ndërkombëtare, që njëherë e mirë të sqarohet ky rast dhe të sqarohen përgjegjësitë e secilit që ka të bëjë me rastin", theksoi mes tjerash kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, z. Pajaziti.
Në vijim, kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, duke shprehur keqardhje dhe ngushëllime për vdekjen e Astrit Deharit, tha se LDK-ja ka qenë e interesuar që të dihet dhe të thuhet e vërteta rreth vdekjes së Astritit.
Duke theksuar faktin se në asnjë rrethanë ky rast nuk duhet të politizohet, ai tha se LDK-ja nuk ka dashur që të marr rolin e hetuesit, mjekut apo avokatit. "Ne kemi punuar që të kemi institucione shtetërore dhe duhet tu besojmë fakteve dhe argumenteve të njerëzve kompetent, dhe nëse nuk u besojmë institucioneve vendore, pse jo, të kërkojmë edhe ndihmë ndërkombëtare, por, nuk besoj se kemi aq pa aftësi që rastin mos ta zbulojmë vetë", tha Beqiri, duke shtuar se për këtë rast tragjik është abuzuar dhe keqpërdorur në forma të ndryshme, duke shtuar se, askush nuk duhet shfrytëzuar raste të tilla të rënda për përfitime politike. Z. Beqiri shtoi se nuk duhet politizuar rastin e vdekjes së Astrit Deharit nga asnjë subjekt politik, duke përmendur me këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje.
Në vazhdim, z. Beqiri duke përmendur edhe shumë raste tjera, përveç rastit Dehari, me theks të veçantë edhe të zyrtarëve të LDK-së, tha se janë të interesuar që të zbulohen të gjitha nga organet kompetente dhe të zbulohet çdo rast i çfarëdo natyre. Ndërkaq, sa i përket debatit të sotëm kërkoi që të flitet mbi bazën e argumenteve, rezultateve dhe të dhënave të ekspertëve.
Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, fillimisht u shpreh se kjo seancë që po mbahet sot është kidnapuar nga PDK-ja dhe LDK-ja. "Përgjegjësia për mbajtjen e sotme të kësaj seance është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, që të shmanget peticioni i qytetarëve, i organizuar nga shoqëria civile, meqë ky peticion kërkon edhe adresim të përgjegjësisë, jo vetëm debat", tha z. Konjufca, duke shtuar se në këtë peticion nga qytetarët është kërkuar dorëheqja e ministres së Drejtësisë, si dhe shkarkimi i atyre që ndodhen në hierarkinë e institucioneve të burgut.
"Në burgun e Prizrenit vdiq një djalë i shkëlqyeshëm, student i dalluar, aktivist i zoti, që nuk ia gjeje shoqin. Astrit Dehari ndodhej në institucionin që menaxhohet nga Qeveria, përmes Ministrisë së Drejtësisë. Kanë kaluar gjashtë javë që prej kur ndodhi krimi dhe nuk ka qytetarë të Kosovës që nuk është tronditur dhe nuk është lënduar thellë nga kjo vdekje mizore. Edhe vet po e ndjej që dhembja dhe mërzia po ia lëshojnë dalëngadalë vendin zemërimit", tha kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes duke shtuar : "Në shtetin tonë ndodhin kaq gjëra të papranueshme dhe të pafalshme. Astritin nuk e vrau shteti, nuk e vrau as mungesa e shtetit, kjo do të thotë se e vrau pushteti. Në Kosovë nuk ekziston më shteti, ekziston vetëm pushteti", tha Konjufca.
"Astrit Dehari është vrarë në momentin kur e keni bërë terrorist, e jo më 5 nëntor, duke ia fabrikuar provat dhe duke ia ngjitur aktakuzën për terrorizëm", tha ai.
Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, tha se a është vrasje apo vetëvrasje kjo duhet të vërtetohet deri në fund. "AAK nga fillimi ka kërkuar debat të shëndoshë dhe zbardhje të këtij rasti dhe kjo nuk ka ndodhur deri më tani për arsye të pakuptimta ", tha Lekaj, duke sqaruar se refuzojnë që të jenë pjesë e çfarëdo debati për këtë çështje, në mënyrën siç është organizuar, ngase sipas tij, kjo nuk i kontribuon zbardhjes së vërtetës, por vetëm sa e rëndon atë.
Valdete Bajrami, kryetare e grupit parlamentar Nisma, duke i shprehur ngushëllime familjes Dehari, paraqiti vërejtje lidhur me kërkesën dhe arsyetimin e deputetëve për debatin e sotëm.
Siguria në burgje dhe në qendrat korrektuese nuk është në nivelin e duhur, tha Bajrami, duke kërkuar që në këto institucione organet përgjegjëse duhet të ofrojnë siguri. Në vijim ajo drejtoi disa pyetje për ministren e Drejtësisë dhe ministrin e MPB-së për sigurinë që ofrojnë burgjet apo qendrat korrektuese, ndërkaq sa i përket rastit Dehari, ajo tha se është dëshmuar se institucionet e sigurisë kanë dështuar.
Pasi numëroi disa nga shkeljet dhe parregullsitë që ndodhin në këto qendra, Bajrami tha se përgjegjësia bie në Ministrinë e Drejtësisë dhe se kjo ministri ka dështuar t'ia sigurojë jetën Astritit.
"Ka pasur deklarata skandaloze që nuk përkonin asnjëra me tjetrën dhe këtu është dilema se kush i shtyri këta njerëz me këto deklarata kontradiktore. Po të kishit pak ndërgjegje ju ministrat përgjegjës do të ofronit dorëheqje", tha znj. Bajrami.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, gjatë deklarimit të saj për këtë çështje, fillimisht shprehu keqardhje të thellë për humbjen e Astritit. Ajo vlerësoi se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti. Ministrja Hoxha tha se është përpjekur maksimalisht që të rezervohet në deklarata, në mënyrë që mos të ndërhyjë në organet kompetente dhe atyre t'u jepet hapësira ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur. Ajo në vijim përmendi edhe konstatimin përfundimtar të inspektoratit të MD-së dhe tha se nuk është gjetur asnjë veprim i ndërmarrë nga ana e qendrës së paraburgimit në Prizren, i cili në çfarëdo mënyre do të ishte shkaktar për humbjen e jetës së Astritit, ndërsa informoi deputetët për veprime konkretet të cilat janë ndërmarrë lidhur me procedurat disiplinore.
"Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë konstatuar se i ndjeri Astrit Dehari është vetëvra", tha ajo.
Ministrja Hoxha tha se është thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rastin. "Ju bëjë thirrje që të përmbaheni nga deklarimet që paragjykojnë punën. Ne, gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie".
Ndërkaq, tha se pas publikimit të raportit nga ana e ekspertëve të angazhuar nga familja Dehari, ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit që të fillojë hetimet lidhur me të gjeturat e raportit dhe të intervistojë dy mjekët e angazhuar nga familja Dehari dhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.
"Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka për të siguruar transparencë të plotë dhe prokuroria është duke hetuar shkaqet e vetëvrasjes. Jemi të interesuar që ky rast të zbardhet deri në fund, edhe nëse kjo nënkupton ekspertizë tjetër ndërkombëtare, u shpreh ministrja Hoxhaj, duke kërkuar që deklarimet për këtë rast të bëhen në pajtim me ligjet dhe të mos përfitohet politikisht.
Debatit i kontribuuan edhe këtë deputetë: Labinotë Demi-Murtezi, Melihate Tërmkolli, Driton Çaushi, Enver Hoti, Ilir Deda, Shukrije Bytyqi, Selvije Halimi, Arben Gashi, Albulena Haxhiu, Besa Gaxherri, Agim Aliu, Mytaher Haskuka, Zafir Berisha, Nezir Çoçaj, Vjosa Osmani, Donika Kadaj -Bujupi, Hajdar Beqa, Nuredin Ibishi, Besa Baftiu, Safete Hadërgjonaj, Rexhep Selimi, Mexhide Mjaku-Topalli, Ismajl Kurteshi, Emilija Rexhepi, Aida Dërguti, Nait Hasani, Gëzim Kelmendi, Abdyl Ymeri, Albin Kurti, Xhevahire Izmaku, Visar Ymeri, Bislim Zogaj, Bekom Haxhiu, Blerta Deliu-Kodra dhe Fisnik Ismaili.
Pas shterimit të debatit lidhur me këtë çështje, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, mbështetur edhe nga Grupi Parlamentar i LDK-së, Kuvendit i propozoi këto tri rekomandime për miratim:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës dhe vlerave kushtetuese të Republikës së Kosovës edhe një herë shpreh përkushtimin e vet që në Republikën e Kosovës të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe secili individ të gëzojë të drejtën për jetë.
2. Vdekja e shtetasit të Republikës së Kosovës, Astrit Dehari në burgun e Prizrenit e cila ka sjellë reagime deri në politizim të skajshëm, duhet të zbardhet në mënyrë transparente dhe të mos i lihet hapësirë manipulimeve politike.
3. Kuvendi fton të gjitha institucionet përgjegjëse që të marrin masat e duhura në kuadër të kompetencave ligjore dhe të mos lejnë as një pikë dyshimi në këtë rast.
4. Familja Dehari, në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse, mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit, nga cilido vendi i BE-së dhe SHBA-së që ajo dëshiron. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t'i mbulojë shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.
Në emër të VV, ndërkaq, mbështetur edhe nga grupet parlamentare AAK dhe NISMA, deputeti, Glauk Konjufca, njëherësh kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së, propozoi një rezolutë, e cila ishte e bazuar në kërkesën e 23,774 qytetarëve. Rezoluta e propozuar, nga deputeti Konjufca, në formë kërkese, ishte e shprehur edhe nëpërmjet peticionit të shoqërisë civile, duke kërkuar:
1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit
2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi për vdekjen e Astrit Deharit.
3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
Propozimet u hodhën në votim nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ndërkaq, me shumicë votash u përkrahën rekomandimet e paraqitura nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti.
Pas kësaj, në një mbledhje të veçantë, Kuvendi procedoi me votimin e pikave të papërfunduara nga seanca plenare e datës 17 nëntor.
Me këtë rast, deputetët formuan Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e 1 (një) anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie.
Në vijim, është miratuar në lexim të dytë Projektligji për akreditim, si dhe Raporti vjetor i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015.