Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 19.12.2016
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka vendosur që të martën (nesër), në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën deputetët do të debatojnë për rastin Dehari.
Kryesia vlerësoi se kërkesa, e nënshkruar nga 40 deputetë, të cilën në mbledhje e prezantoi kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i plotëson kushtet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme.
Pas përfundimit të debatit parlamentar, Kuvendi do të vazhdojë punimet me votimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara. Kështu, pritet formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes "Vetëvendosje", lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pika këto të papërfunduara në seancën e 28 tetorit dhe atë të 17 nëntorit.
Në vazhdim, do të bëhet votimi i tri pikave të tjera, të papërfunduara në seancën e 30 nëntorit dhe 1 dhjetorit: votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, votimi i Raportit vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, si dhe votimi i 6 amendamenteve (22 - 27) të Projektligjit për akreditim.
Në seancën e re të së enjtes, ndërkaq, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, si dhe i Projektligjit për shërbime. Për herë të dytë, pritet shqyrtimi i Projektligjit për ndihmën shtetërore, Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Po ashtu, do të shqyrtohet edhe raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Minierat dhe Mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158.
Në fund, deputetët pritet të debatojnë sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga nëntë deputetë tjerë, lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, sa i përket rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Kosovës për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, u Kryesia u dakordua se komisioni përkatës parlamentar, konform Rregullores, mund ta autorizojë kryetaren e tij që të paraqesë një deklaratë në seancë plenare.