Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 19.12.2016




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, të udhëhequr nga Salih Morina, zëvendëskryetar, raportuan dy ministra të Qeverisë së Kosovës, lidhur me buxhetin e planifikuar për vitin 2017.

Duke folur për projekt-buxhetin për vitit 2017 në fushën që mbulon Ministria e Diasporës, kreu i kësaj ministrie, Valon Murati, e konsideroi atë buxhet të mbijetesës, i cili sipas tij, mundëson të zhvillohen disa aktivitete bazike të cilat përcillen nga viti në vit. Me këtë buxhet, shtoi ministri Murati, parashihet të ndihmohet arsimi shqip nëpërmjet aktiviteteve ndryshme, si: dërgimi i librave, organizim i kuizeve, seminareve, ekskursioneve të shkollave verore etj.

Në vazhdim, Murati foli edhe për bashkëpunimin që Kosova ka kultivuar me Shqipërinë në fushën e arsimit shqip në diasporë dhe marrëveshjet që pritet të nënshkruhen në të ardhmen, të cilat do të kenë edhe implikime financiare.

Ai tha se për ta vendosur në binarë çështjen e mësimit shqip në diasporë, nevojitet buxhet tjetër, i cili vjen pas ratifikimit të marrëveshjes midis dy shteteve.

Ministri Murati tha se buxheti për arsimin, në shumën prej 117 mijë eurosh, i paraparë për vitin e ardhshëm, është i pamjaftueshëm për të arritur objektivat e ministrisë.

Ministri i Diasporës u përgjigj edhe në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e anëtarëve të komisionit, të cilat lidheshin me ndarjet buxhetore për qendrat kulturore në diasporë, në vendet ku ka më shumë qytetarë nga Kosova, për ngritjen e cilësisë së mësimit në diasporë etj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, nga ana e tij, para anëtarëve të komisionit raportoi lidhur me investimet që janë bërë deri tani nga ana e ministrisë që ai drejton, si dhe për ato që parashihen të bëhen gjatë vitit 2017.

Gjatë takimit, ministri Shala, vlerësoi se rritja e buxhetit për MKRS-së, ka ndodhur për dy arsye: e para, siç tha ai, për shkak të efikasitetit të shpenzimit të buxhetit, dhe e dyta, për shkak të shtimit të punëve në këtë ministri.

Shala theksoi se sipas raportit final të auditorit, në vitin 2015 ministria ka shpenzuar 98 për qind të buxhetit, që i bie 13 për qind më shumë se në vitin 2014. Rritja kryesore e buxhetit, sipas tij, është bërë për shkak të investimeve kapitale, kryesisht në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Ministri Shala foli edhe për projektet e mëdha nacionale, si stadiumi nacional, teatri i baletit, muzeu i artit bashkëkohor dhe muzeu historik i natyrës. Ai tha se buxheti, gjithashtu, garanton vazhdimin e investimeve të filluara në infrastrukturë, përfshirë qendrat rinore, qendrat e kulturës, rrjetin e palestrave etj.

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...