Lajmet e fundit
Dëgjim Publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Hënë, 19.12.2016
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nën drejtimin e kryetares, Flora Bronvina organizoi sot dëgjim publik për Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor. Përveç anëtarëve të komisionit merrnin pjesë; anëtarë të Inspektoriatit Shëndetësor, përfaqësues të ndryshëm të institucioneve spitalore si dhe përfaqësues të Sindikatës së punonjësve shëndetësorë.
Mirjeta Kolludra kryesuese e grupit punues për amandamentim të Projektligjit për Inspektoratin Shëndetësor theksoi nevojën e domosdoshme të përmirësimit të këtij ligji , i cili ka kaluar në lexim të parë. Organizimi i këtij dëgjimi publik bëhet pikërisht për të dëgjuar mendimet tuaja për gjetjen e mundësive për përmirësimin dhe amandamentim të këtij projektligji.
Ardita Baraku, krye inspektore e Inspektoriatit Shëndetësor gjatë informimit rreth problemeve të mëdha që ka Inspektoriati, theksoi rëndësinë e madhe dhe domosdoshmërinë përmirësimit të ligjit, i cili vepron që nga viti 2006. Ajo renditi një numër faktorësh si; pagesa si punonjës civil, ngritjen profesionale të inspektorëve, trajnimin e domosdoshëm të tyre, licencimin, pagesat shtesë për ditët e festave etj,.
Përfaqësuesi i sindikatës së punonjësve shëndetësorë vlerësoi se ligji ka nevojë për ndryshime të mëdha. Ai theksoi se duhet të preken nenet 4,7,8,19 për ndryshime me qëllim që Inspektoriatit ti jepen me ligj një sërë të drejtash që janë të domosdoshme për dinjitetin e punës së tyre.
Novruz Çaushaj drejtor i spitalit amerikan theksoi disa koncepte interesante dhe të domosdoshme lidhur me aktivitetin e Inspektoriatit Shëndetësor. Statusi i Inspektorit Shëndetësor duhet të rregullohet me ligj, pasi krejt ky staf po shkon drejt vetë sakrifikimit. Numri i ulët i stafit e bën të pamundur mbulimin e krejt territorit të Kosovës me këtë shërbim. Jo licencim si Inspektor, ky nuk është koncept theksoi ai, por licencimi si mjek i inspektorit ka tjetër vlerë, kurse trajnimi si inspektor duhet theksuar, duke i fituar të gjitha trajnimet e mundshme, me qëllim që inspektori ta ketë mundësinë për rikthimin në profesionin e vet.
Është absurde që inspektori të shkojë të punojë dy ditë në javë, apo të punojë në orët e pasdites. Ai duhet të jetë dinjitoz në punën dhe jetën e tij. Varësia e Inspektoriatit duhet të trajtohet me kujdes dhe të merren përvojat e ndryshme dhe të përcaktohet qartë me ligj.
Deputetët shprehën mendime të ndryshme lidhur me domosdoshmërinë e përmirësimit dhe amandamentimin e këtij ligji.
Në përfundim Flora Bronvina theksoi se Komisioni kërkon të marrë përgjegjësi për përmirësimin e këtij projektligji duke bashkëpunuar vazhdimisht me të gjitha grupet, për të vlerësuar drejt vërejtjet dhe mendimet tuaja si dhe mundësinë me njohjen e përvojës së vendeve të tjera. Ne jemi duke monitoruar ligjin për Shëndetësinë dhe jemi të bindur se shëndetësia e Kosovës ka nevojë për një Inspektoriat Shëndetësor profesional dhe dinjitoz.