Lajmet e fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione përfundoi vizitën studimore në Suedi
E Hënë, 19.12.2016
Organizuar dhe mbështetur nga organizata "Save the Children" në Kosovë dhe "Save the Children" në Suedi, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në krye me kryetaren Lirije Kajtazi, përfunduan vizitën studimore në Suedi, nga data 12-16 dhjetor 2016.
Pjesë e kësaj vizite studimore ishin edhe përfaqësues nga: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, organizata "Save the Children" në Kosovë, si dhe nga shoqëria civile.
Temë kyçe e kësaj vizite studimore ishte sistemi suedez i organizimit dhe funksionimit në fushën e mbrojtjes, trajtimit dhe të drejtave të fëmijëve.
Delegacioni nga Republika e Kosovës ka zhvilluar të gjitha aktivitetet, sipas agjendës së paraparë, e cila ishte mjaft e ngjeshur dhe e larmishme.
Vlen të përmenden vizitat në: Fakultetin Juridik, Universiteti i Stokholmit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, selinë e Avokatit të Popullit për Fëmijë, selinë e organizatës "Save the Children" në Suedi, si dhe në Qendrën për Trajtimin e Fëmijëve, të prekur nga dhuna "Barnafrid", në qytetin suedez Linköping, e shpallur si Qendra më e mirë në Suedi, nga 30 të tilla, të cilat ekzistojnë në atë shtet.
Delegacioni është pritur edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Suedi, z. Ilir Dugolli, i cili ka njoftuar mbi aktivitetet e gjithmbarshme të Ambasadës sonë dhe për ofrimin e shërbimeve për qytetarët nga Kosova, me qëndrim në Suedi.