Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion....
E Premte, 16.12.2016
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u shqyrtuan raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë. Pas një diskutimi rreth këtyre raporteve,anëtarët e komisionit me theks të veçantë shqyrtuan edhe raportin e Komisionit për Integrime Evropiane, që ka të bëjë me vërejtjet që janë paraqitur nga ky komision në dy amendamente (në amendamentin 12 dhe atë 22) të këtij projektligji.
Me këtë rast, Komisioni për Legjislacion u dakordua që të hiqen këto dy amendamente dhe që projektligji të procedohet në seancë plenare.
Në vijim Komisioni shqyrtoi edhe kërkesat buxhetore të Institucioneve/Agjencioneve që bien në fushëveprim të Komisionit për Legjislacion dhe me këtë rast formuan grup pune.
Komisioni pasi shqyrtoi edhe raportet me amendamente të komisioneve funksionale të Projektligjit nr.05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive, si dhe të Projektligjit nr. 05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 05/L-043 për faljen e borxheve publike, i përkrahu ato për procedim të mëtejmë.
Anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe kërkesën e deputetëve Teuta Haxhiu dhe Mytaher Haskuka, që ka të bëjë me peticionin e qytetarëve për rastin e Astrit Deharit. Me këtë rast u vendos që kjo çështje të kalojë në Nën-komisionin për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit.
Krejtësisht në fund, komisioni formoi edhe grupin punues për shqyrtimin e Projektligjit nr. 05/L-118 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, si dhe u dakorduan që të mbajnë një dëgjim publik lidhur me këtë projektligj.