Lajmet e fundit

Nga takimi i Komisionit për Integrime Evropiane me udhëheqësen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

E Mërkure, 14.12.2016




Komisioni për Integrime Evropiane i Republikës së Kosovës, priti sot në takim, udhëheqësen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese Speciale e Zyrës së Be-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Kryetarja e komisionit, Njomëza Emini e hapi takimin duke e falënderuar z. Apostolova për bashkëpunim, dhe u zotua se komisioni do të angazhohet që t'i përmbushë obligimet jo vetëm si mbikëqyrës por edhe si pjesëmarrës me të gjithë akterët relevant për ta arritur synimin përkitazi me anëtarësimin e Kosovës në BE.

Në takimin e sotëm, para anëtarëve të komisionit, përfaqësuesja speciale e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, prezantoi Raportin e Progresit dhe të gjeturat e zyrës së BE-së për Kosovën për vitin 2016. Sipas Apostolovës, viti 2016, ka qenë një epokë për Kosovën. Ajo theksoi se, pamjet e dhunshme në Kuvend i dhanë imazh të keq vendit në dy vitet e fundit.

" Polarizimet në mes të Qeverisë dhe opozitës që shpesh herë kanë eskaluar edhe në dhunë, është në kundërshtim me frymën evropiane. Kuvendi është vendi ku liderët politik duhet të tregojnë përgjegjësi për votuesit e tyre", tha Apostolova.

Ajo më tej u shpreh se duhet bashkëpunim më i madh në mes deputetëve, ndërkaq, duke iu referuar listës serbe, Apostollova atyre u bëri thirrje që të kthehen në Kuvend dhe të kontribuojnë për përfaqësuesit e tyre.

Përfaqësuesja e BE-së, Apostolova, kritikoi edhe Kuvendin e Kosovës për mospërfilljen e procedurave gjatë miratimit të ligjeve.

Me këtë rast, anëtarët e komisionit, shtruan pyetje lidhur me murin e ndërtuar në pjesën veriore te Mitrovicës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lidhur me këtë, përfaqësuesja e BE-së, tha:"BE-ja ndërton ura jo mure, ndërkaq, muri që është ndërtuar ne veri të Mitrovicës nuk është projekt i BE-së".

Nga ajo që kam vëzhguar, tha më tej ajo, kjo është çështje që duhet të vendoset në dialog mes kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të BE-së.
Ne jemi duke bërë presion që të respektohen të drejtat e qytetarëve, tha ajo.

Duke folur për liberalizimin e vizave, ndërkaq, Apostolova u shpreh :"Duhet të përmbushen dy kriteret, ai për demarkacionin dhe luftimi i korrupsionit".

Tutje, ajo vlerësoi se janë bërë përmirësime në fushën e gjyqësisë. Po ashtu, sipas saj janë shënuar rezultate edhe në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në lidhje me dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Apostolova theksoi se ky dialog duhet të vazhdoj dhe se deputet duhet të tregohen konstruktiv në raport me të.

 

 Nga takimi i Komisionit për Integrime Evropiane me udhëheqësen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova