Lajmet e fundit
Veseli: Kosova dhe Hungaria po thellojnë bashkëpunimin
E Mërkure, 14.12.2016
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, z. Péter Szijjártó, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar kryediplomatin e Hungarisë për mbështetjen që ky shtet po i jap Kosovës, si në fushën e angazhimeve diplomatike, po ashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë e sport.
Kryetari Veseli e potencoi domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe falënderoi Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i jep perspektivës evropiane të Kosovës.
Kryeparlamentari kosovar po ashtu ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjeve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Hungarisë, të nënshkruara midis dy qeverive, ndërsa theksoi se shumë shpejt Kosova duhet të avancojë edhe për marrëveshjen për ndërtimin e stadiumit të futbollit, ku përfaqësuesja kosovare e futbollit do të mund t'i luaj ndeshjet kualifikuese në Republikën e Kosovës.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, z. Péter Szijjártó, theksoi gatishmërinë e Hungarisë për të vazhduar bashkëpunimin ekonomik, politik, diplomatik, kulturor e sportiv me Republikën e Kosovës dhe rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Ne fund te takimit, kryediplomati hungarez i dhuroi kryetarit të Kuvendit të Kosovës fanellën sportive te legjendës së futbollit hungarez dhe evropian, Ferenc Pushkash.