Lajmet e fundit
Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion në Letoni
E Mërkure, 14.12.2016
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga deputetja Valdete Bajrami - kryesuese e grupit punues për mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, dhe deputetët Albulena Haxhiu, Armend Zemaj, Agim Aliu dhe Danush Ademi po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Letoni (13-14 dhjetor).
Delegacioni fillimisht u takua me z. Janis Roze, zëvendës drejtor në zyrën për parandalim dhe luftim të korrupsionit (KNAB).
Gjatë këtij takimi u diskutua për rolin e fuqishëm që ka zyra për parandalim dhe luftim të korrupsionit. Mes tjerash delegacioni i Kuvendit të Kosovës u informuan se kjo zyre është themeluar më 2002 kurse me 2003 ka filluar të funksionojë me kapacitete të plota. Ky institucion ka të punësuar 150 zyrtarë të organizuar në divizione si: hetim të zyrtarëve publik, parandalim të konfliktit të interesit, planifikim të politikave dhe kontroll të financimit të partive politike.
Me këtë rast, u sqarua se bashkëpunimi i kësaj zyre është i lidhur ngushtë me prokurorinë dhe përveç hetimeve në nivel vendi në hetimin dhe kontrollin e zyrtarëve, po ashtu kjo zyre kryen edhe hetime të shkallës ndërkombëtare. Një pikë e rëndësishme diskutimi ishte se divizioni i parandalimit kontrollon zyrtarët që menaxhojnë me fondet e BE-së. Po ashtu ky divizion cakton prioritetet vjetore në fushat që janë më të ekspozuara ndaj korrupsionit. Tjetër funksion i rëndësishëm i kësaj zyre ishte edhe kontrolli i financimit të partive politike. Në kuadër të përgjegjësive të kësaj zyre bie që partitë politike obligohen që t'i paraqesin donacionet e tyre 15 ditë pas pranimit të donacionit. Mos paraqitja e donacioneve në këtë zyre nënkupton ndëshkim për donatorët kurse donacionet apo paratë e fituara në këtë formë derdhen në buxhetin e shtetit, u tha nga z. Janis Roze. Analizimi i akteve ligjore ishte një funksion tjetër i rëndësishëm që kryen kjo zyre kurse është me rëndësi të ceket se zyrtarët që punojnë në departament të hetimeve i nënshtrohen një verifikimi të jashtëm.
Valdete Bajrami, prezantoi delegacionin dhe shprehu falenderimin e saj për pritjen duke thënë se përvojat që do t'i marrim nga ky shtet do të jenë të rëndësishme për ta pasi që zyra për parandalim dhe luftim të korrupsionit (KNAB) në Letoni është një model i suksesit dhe po merret shembull edhe nga shumë shtete të BE-së. Valdete Bajrami dhe anëtarët tjerë të delegacionit adresuan një mori pyetjesh që kishin të bënin me raportin e kësaj zyre me prokurorinë, mandatin dhe funksionimin, rolin e saj në kontrollin e financimit të partive politike, rolin e zyrës në procesin legjislativ dhe çështjet e deklarimit të pasurisë.
Delegacioni vizitën e radhës e bëri në Parlamentin e Letonisë ku u prit nga Aivars Latkovskis, kryesues i komisionit për mbrojtje, punë të brendshme dhe parandalim të korrupsionit dhe me kryesuesin e nën-komisionit për parandalimin e korrupsionit, Aleksejs Loskutovs.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rolin e mbikëqyrjes parlamentare. U tha se Komisioni ushtron mbikëqyrje parlamentare dhe se për këtë ka themeluar një nën-komision të cilin e kryeson z Aleksejs Loskutovs, ish drejtor i zyrës për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit (KNAB). U tha se kjo zyre raporton dy herë në vit para komisionit. Duke folur për fuqizimin dhe pavarësinë u tha se si Komision e shqyrtojnë buxhetin dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar që të ketë zvogëlim të buxhetit të kësaj zyre(KNAB). Tutje u adresuan çështje rreth shqyrtimit dhe votimit të raportit, procesit legjislativ si dhe kontrollin parlamentar (përfaqësimi politik në komision dhe nën-komisoin ).
Kjo vizitë është përkrahur nga UNDP-ja.
https://www.flickr.com/photos/saeima/albums/72157673832068294