Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Hënë, 12.12.2016
Situata aktuale në Mitrovicë, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar.
Ndërtimi i murit në kuadër të punimeve për rivitalizimin e urës në të dyja anët e qytetit, ka bërë që situata politike atje të jetë jo e kënaqshme, tha në fillim të takimit, kryetari i Komisionit, Reçica. Ai me këtë rast kërkoi nga të gjithë faktorët relevant, e që janë të implikuar në bisedime me Serbinë, që të jenë më transparentë dhe të njoftojnë deri në detaje lidhur me të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me ndërtimin e murit atje.
Përfaqësuesit e opozitës në Komision, Puhie Demaku (VV), Pal Lekaj (AAK) dhe Zafir Berisha (NISMA), ndërkaq, shprehën qëndrimit se, për shkak të ndërtimit të murit pranë urës në Mitrovicë, Qeveria duhet të pezullojë menjëherë bisedimet me Serbinë.
Lidhur me gjendjen në Mitrovicë folën edhe anëtaret e Komisionit: Blerta Deliu-Kodra dhe Luljeta Veselaj- Gutaj. Edhe ato vlerësuan se Qeveria duhet të jetë më transparente dhe të raportojë për të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me dialogun me Serbinë.
Meqenëse për situatën politike në Mitrovicë përfaqësuesit opozitarë paralajmëruan interpelancë me kryeministrin Mustafa, në fund të mbledhjes, anëtarët e Komisionit vlerësuan se duhet transparencë më e madhe, si dhe raportim i rregullt lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë.
Qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje, anëtarët e Komisionit u deklaruan se do t'i paraqesin edhe gjatë seancës, përkatësisht interpelancës me kryeministrin.