Lajmet e fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Mërkure, 07.12.2016
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, shqyrtoi dhe përkrahu kërkesën e 23.774 qytetarëve për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Anëtarët e komisionit vlerësuan se është e drejtë Kushtetuese që shqetësimet e qytetarëve të shprehen nëpërmjet peticioneve, ndërkaq, lidhur me seancën e jashtëzakonshme, (e cila është njëra ndër kërkesat e nënshkrueseve të peticionit), Komisioni vlerësoi se duhet të vendosë Kryesia e Kuvendit.
Megjithatë, anëtarët e komisionit këmbëngulën që seanca lidhur me rastin Dehari të mos mbahet sikurse ka paralajmëruar Kryesia e Kuvendit me datën 13 të këtij muaji.
Ky qëndrim erdhi në shprehje për shkak të një vizite studimore, të cilën Komisioni pritet ta realizojë në shtetin suedez nga data 12 deri më 16 të këtij muaji.
Lidhur me këtë vizitë, kryetarja e Komisionit Kajtazi, tha se është shumë e rëndësishme dhe sponsorizohet nga shoqata" Save the Children". Ajo po ashtu sqaroi se me rastin e kësaj vizite do të shohin nga afër praktikat më të mira lidhur me Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, si nevojë imediate edhe për vendin tonë.
Me këtë qëndrim të kryetares Kajtazi, u pajtuan edhe anëtarët e Komisionit, andaj, në fund vendosën që Kryesisë së Kuvendit t'i drejtohen me kërkesën që, seanca e jashtëzakonshme lidhur me rastin Dehari, të mbahet në një kohë të përshtatshme për anëtarët e komisionit.