Lajmet e fundit
Komisioni për Legjislacion vazhdoi takimet me drejtues të lartë të institucioneve të Shqipërisë
E Marte, 06.12.2016
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare dhe deputetët Armend Zemaj, Agim Aliu dhe Pal Lekaj, gjatë qëndrimit të tyre në vizitë zyrtare në Tiranë, zhvilluan një takim edhe në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me këtë rast, ata u pritën nga kryetari z. Bashkim Dedja.
Në këtë takim u diskutua për procesin e reformës në drejtësi, me theks të veçantë për ligjin e vettingut.
Dedja fillimisht ka sqaruar se janë në proces të shqyrtimit të këtij ligji duke pohuar se është kërkuar edhe opinioni i Komisionit të Venecias për të vlerësuar nëse është në përputhje me standardet Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, u diskutua edhe për procesin e ndryshimeve kushtetuese, proces ky që dallon nga ai në Kosovë ngase siç u tha vetëm marrëveshjet ndërkombëtare i nënshtrohen vlerësimit paraprak nga Gjykata, jo edhe amendamentet Kushtetuese.
Tutje, delegacioni vazhdoi takimin me ministrin e Drejtësisë z. Ylli Manjani. Në këtë takim u bisedua për ndarjen dhe kategorizimin e personave që mbahen në paraburgim, si dhe nevojën e nxjerrjes së ligjit për amnisti. Manjani shtoi se amnistia nuk zgjidh problemet, por duhet të ketë efikasitet në proceset penale. Ai ngriti shqetësimin e tij në procesin e reformës veçmas tek ekspertët e huaj. Kryetarja Haxhiu tha se vendit i duhet një ligj për Amnisti sepse kjo është nevojë. Tutje ajo tha se ne jemi në proces të mbikëqyrjes së zbatimit të disa ligjeve që prekin sistemin e drejtësisë sepse edhe tek ne duhet të bëhet një reformë në sistem.
Vizita e radhës e delegacionit vazhdoi në institucionin e Avokatit të Popullit ku u prit nga Enio Haxhimihali, drejtor kabineti.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe roli i Avokatit të Popullit në procesin e reformës në drejtësi. U tha se ky institucion është i përfshirë në këtë proces, veçmas ndryshimet ligjore kanë rritur gamën e referimit të çështjeve nga ky institucion në Kushtetuese. Po ashtu, u tha se jemi pjesë e përzgjedhjes së kandidatëve në institucionet e reja. Anëtarët e delegacionit kërkuan sqarime për rolin e avokatit në procesin e mbikëqyrjes së burgjeve. Lidhur me këtë u tha se kjo bëhet në dy mënyra nga avokati, drejtpërdrejtë nga inspektimet dhe përmes shoqërisë civile. Mekanizmi i parandalimit të torturës është pjesë e punës së këtij institucioni.
Shqetësim nga ky institucion ishte mos shqyrtimi në kohë i raporteve të Avokatit të Popullit nga Kuvendi.
Delegacioni përmbylli vizitën zyrtare në Tiranë me takimin në Bashkinë e Tiranës ku u prit nga z. Erion Veliaj. Edhe gjatë këtij takimi u diskutuan problemet dhe sfidat që ka Bashkia, por edhe për procesin e reformës në drejtësi.