Lajmet e fundit
Nga takimi i anëtarëve të Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
E Marte, 06.12.2016
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare dhe deputetët Armend Zemaj, Agim Aliu dhe Pal Lekaj, po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Tiranë.
Qëllimi i kësaj vizite ka të bëjë me reformën në drejtësi. Ata u takuan me anëtarët e Komisionit të ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua në mënyrë të detajuar për procesin e reformës në drejtësi.
Deputetët u njoftuan për së afërmi me ndryshimet organizative e ligjore që i ka bërë Kuvendi i Shqipërisë e po ashtu edhe me sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Republika e Shqipërisë në këtë proces. Ky proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë ka prekur kuadrin kushtetues dhe ligjor, me theks të veçantë ato ligje që prekin sistemin e drejtësisë. Theksi u vu tek ligji për verifikimi e gjyqtarëve dhe prokurorëve ( vettingut), i cili është duke kaluar në debate të gjera dhe i cili parasheh verifikim të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ekspert vendas dhe ndërkombetarë. Anëtarët u njoftuan se i njëjti, do t'i nënshtrohet një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese dhe do të kërkohet opinioni nga Komisioni i Venecias.
Në fund të këtij takimi anëtarët e të dy komisioneve, theksuan nevojën për ngritjen e bashkëpunimit në mes të komisioneve homologe me takime të rregullta.
Ky bashkëpunim do të formalizohet me anë të një memorandumi, në të cilin do të vendosen çështjet e interesit të përbashkët.
Anëtarët vazhduan takimin e radhës me nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë znj.Valentina Leskaj. Në këtë takim znj.Albulena Haxhiu, shprehu falenderimin e saj për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës, në procesin e anëtarësimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt u diskutua se është jashtëzakonisht i rëndësishëm forcimi i diplomacisë parlamentare, sidomos, duke e marrë parasysh faktin e sfidave dhe pengesave që i ka Kosova në anëtarësimin e organizmave ndërkombëtarë.