Lajmet e fundit
Deputetja Blerta Deliu-Kodra mori pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore-SEECP
E Hënë, 05.12.2016
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, njëherësh anëtare e Përhershme e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore - SEECP, ka marrë pjesë në punimet e kësaj Asambleje, të mbajtur në Zagreb më 2 - 3 dhjetor 2016.
Në fokus të takimit ishin bashkëpunimi mes Asamblesë Parlamentare të Evropës Juglindore- SEECP dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), si dhe diskutimet mbi dy komisionet e përhershme të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së.
Me këtë rast, u vendos që udhëheqja e Komisionit të përhershëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energjetikë, në kuadër të AP të SEECP-së, t'i takojë Kuvendit të Republikës së Kosovës, kurse punimet të mbahen në Zagreb.
Deputetja Deliu-Kodra e vlerësoi shumë të rëndësishëm vendimin që Kosova të marrë pjesë në gjitha organizatat rajonale, duke e cilësuar atë si një ndër vendimet më të rëndësishme për stabilitetin në rajon. Ajo theksoi se qëndrimi i palës serbe për të bllokuar Kosovën që të zhvillojë në Prishtinë mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, është hap prapa nga ana e Serbisë, që bie në kundërshtim edhe me bashkëpunimin rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo i bëri thirrje përfaqësuesit të delegacionit të Serbisë që të zbatojë Deklaratën e Tiranës, jo vetëm formalisht, por edhe në praktikë, e cila është miratuar edhe nga pala serbe.
Në lidhje me pikën 2, për diskutimin e dy komisioneve të përhershme, deputetja Deliu-Kodra u pajtua me propozimin e Parlamentit kroat që Komisionet e Përgjithshme të AP të SEEPC-së, përkatësisht: Komisioni për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Komisioni për Punë të Brendshme, Drejtësi dhe Siguri, të mbahen në Zagreb.
Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë , znj. Esmeralda Shkjau, i rikujtoi palës serbe dhe të gjitha delegacioneve të tjera të pranishme, se duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze Deklaratën e Tiranës, të miratuar me konsensus nga të gjitha vendet e SEECP-së.
"Deklarata e Tiranës fton gjitha vendet e SEECP-së, që të ftojnë Kosovën të marrë pjesë në të gjitha nivelet e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, si e barabartë dhe me të drejta të plota", tha znj. Esmeralda Shkjau. Ajo theksoi, gjithashtu, se çështja e përfaqësimit të Kosovës në të gjitha forumet rajonale, përfshirë edhe dimensionin qeveritar të SEECP-së, është zgjidhur që para tre vitesh dhe nuk ka asnjë problem përfaqësimi.
"Bllokimi nga ana e Serbisë është i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë", u shpreh deputetja Shkjau në fjalën e saj.
Pas këtyre vërejtjeve nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, anëtaret e delegacionit serb nuk patën asnjë reagim.
Takimi i radhës i Komisionit Drejtues të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, do të mbahet në Zagreb, para pranverës së vitit 2017.