Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 01.12.2016




Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendi, Xhavit Haliti, filloi me procesin e votimit të mbetur nga seanca e djeshme.

Me këtë rast, Kuvendi miratoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Më tej u votua për katër projektligje në lexim të parë: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor dhe Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme në Kosovë.

Kuvendi i miratoi në lexim të dytë, ndërkaq, edhe Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa, si dhe Projektligjin për akreditim.

Më pas, gjatë procesit të votimit u miratuan tre raporte vjetore, përkatësisht: Raporti vjetor i Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015, Raporti vjetor financiar i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015,si dhe Raporti për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015.

U miratuan po ashtu edhe Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017,si dhe dy propozim-vendime: Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a. dhe Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.

Lidhur me zgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, pas procesit të votimit, nga katër kandidatë me shumicë votash u zgjodhën Afërdita Maliqi dhe Naile Demiri.
Mandati i anëtareve të zgjedhura sot në këtë Bord, do të jetë tre vjeçar.

Ndërsa Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, Amendamenti 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 81, paragrafi 1 dhe votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale u shtynë për seancën e radhës.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit