Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Mërkure, 30.11.2016




Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi punimet e mbledhjes plenare nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga Xhavit Haliti, nënkryetar).

Në fillim të seancës së sotme, shefi i grupit Parlamentar i PDK-së, Zenun Pajaziti, kërkoi fjalën për ndryshimin e rendit të ditës, që pika e 13-të, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rrethit të tij të kalojë në pikën e parë të punimeve të kësaj seance.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e kaloi kërkesën për ndryshim të rendit të ditës, në procedurë votimi, e cila me shumicë votash të deputetëve u miratua.

Për arsyetimin e këtij Projektligji, kryetari Veseli ia kaloi fjalën deputetes Duda Balje. Pas miratimit të amendamenteve u kalua në procedim votimi për miratimin e plotë të këtij Projektligji, i cili me 72 vota pro, Kuvendi miratoi Ligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ndërkaq, kërkoi fjalën para se të vijohej me pikat e rendit të ditës. Ai ngriti problemin tashmë të njohur lidhur me vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Deharit. Pasi arsyetoi problematikën e këtij problemi, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së edhe në mbështetje të një peticioni qytetar me 23 mijë nënshkrime, deputeti Konjufca propozoi për zhvillimin e një seancë të jashtëzakonshme.

Lidhur me propozimin, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sqaroi se lidhur me këtë: "Nuk është ndjekur asnjë procedurë parlamentare", ndërkaq, tha ai, Grupi Parlamentar i VV-së nuk ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme sipas procedurave të parapara.

Duke folur lidhur me këtë çështje, kryeparlamentari Veseli i sugjeroi GP të VV-së duke thënë :" Plotësoni procedurat, dhe më datë 14 dhjetor e zhvillojmë një seancë të jashtëzakonshme"

Megjithatë, kryetari i Kuvendit e kaloi në procedurë të votimit propozimin e GP të VV-së, për të cilin paraprakisht u deklaruan përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së vlerësuan se debati mund të ndikojë ndaj organit të Prokurorisë, e cila akoma është në fazën e hetimit të rastit. Ata nuk e vlerësuan të dobishme miratimin e kësaj kërkese, kurse grupet parlamentare të AAK-së dhe Nisma mbështetën kërkesën e VV-së për seancë të jashtëzakonshme. Kërkesa e Grupit Parlamentar të VV-së për zhvillimin e një seancë të jashtëzakonshme kaloi në procedurë votimi. Kërkesa nuk u miratua.

Më tej, mbledhja vijoi punimet me pikat e rendit të ditës; deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare. Të gjithë deputetët e opozitës, të cilët kishin kërkuar fjalën, diskutimet e tyre për deklarimet jashtë rendit të ditës u përqendruan pikërisht në kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Ndërsa pyetje të ndryshme parlamentare të shtruara nga deputetët, mbetën pa përgjigje, për mos prezencë të ministrave.
Kryeministri Isa Mustafa, i pranishëm në seancë, pas përgjigjes së një pyetjeje u pengua për të vazhduar më tej, nga deputetja Donika Kadaj-Bujupi, arsye kjo, për të cilën drejtuesi i seancës, Xhavit Haliti, ndërpreu vijimin e pyetjeve parlamentare për të vijuar në seancën e radhës.
Pas kësaj, opozita u largua nga salla.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për ratifikimin e së cilës kërkohen të paktën 80 vota "pro".
Drejtuesi i seancës Xhavit Haliti ftoi ministrin e Financave, Avdulla Hoti për arsyetimin e kësaj marrëveshje.

Ministri Hoti gjatë arsyetimit të tij lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndër të tjera theksoi se projektligji i ka kaluar të gjitha procedurat dhe për rëndësinë e madhe që ka për Kosovën, kjo marrëveshje kërkoi mbështetjen për miratimin e saj. Gjithashtu kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane kërkoi mbështetjen për miratimin e kësaj marrëveshje. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe 6+ miratuan mbështetjen për miratimin e marrëveshjes, ndërsa për grupet e tjera parlamentare nuk kishte deklarime, pasi ishin larguar nga salla.

Kryesuesi i mbledhjes e deklaroi diskutimin të mbyllur lidhur me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje duke theksuar se procedura e votimit do të kryhet nesër.

Pas kësaj u kalua në shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, për të cilin Komisioni funksional për Legjislacion ka propozuar shmangie nga Rregullorja e Kuvendit dhe shqyrtimi i parë dhe i dytë të bëhet në të njëjtën ditë në dy seanca plenare.

Kryetarja e Komisionit funksional për Legjislacion kërkoi mbështetje për miratimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale. Deputetja Selvie Halimi, ndër të tjera në fjalën e saj shprehu shqetësimin, se si ka mundësi të kërkohet plotësim ndryshim i këtij projektligji vetëm me një nen.

Deputeti Armend Zemaj, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së mbështeti në parim ndryshimet për këtë projektligj për të vijuar në procedurat e mëtejme. Po kështu, Zenun Pajaziti në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së përkrahu parimisht ndryshimet e këtij projektligji, por duke pasur parasysh edhe propozimet e deputetes Halimi. Deputetët Arben Gashi dhe Nait Hasani gjithashtu shprehën shqetësimet e tyre lidhur me ndryshimet e këtij projektligji. Procesi i votimit u shty për nesër.

Pas kësaj punimet e seancës plenare vijuan me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, shqyrtimin e parë të Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Inspektoratin Shëndetësor, përfaqësuesit e ministrive përkatëse bënë arsyetimin e projektligjeve duke kërkuar mbështetjen për miratimin e këtyre projektligjeve. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së dhanë mbështetjen e tyre për miratimin në parim të këtyre projektligjeve. Votimi i këtyre projektligjeve do të zhvillohet nesër.

Në shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, (për miratimin e të cilit kërkohen, të paktën 61 vota „Pro", prej tyre 11 vota „Pro" të komuniteteve që nuk janë shumicë) Amendamenti 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 81, paragrafi 1) drejtuesi i seancës ia kaloi fjalën përfaqësuesit të Qeverisë, i cili bëri arsyetimin e këtij Projektligji duke theksuar rëndësinë e tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut lidhur me besimet fetare kërkoi mbështetjen për miratimin e tij në parim. Pas diskutimeve të deputetëve edhe për këtë Projektligj procesi i votimit u la për nesër. Drejtuesi i seancë ndali punimet për pushimin e drekës.

Pas pushimit mbledhja plenare e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendi, Xhavit Haliti, vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtritshme në Kosovë. Në fjalën e marrë nga drejtuesi i seancës, përfaqësuesi i Qeverisë bëri arsyetimin e projektligjit dhe ftoi deputetët për miratimin në parim. Po kështu edhe kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik Muhamet Mustafa, kërkoi mbështetjen për miratim. Të dyja grupet parlamentare të PDK-së dhe të LDK-së i dhanë mbështetjen për miratim. Pas diskutimit të deputetëve edhe për këtë projektligj, procesi i votimit u shty për nesër ne vijim të seancës.

Për shkak të mungesës së kuorumit, kryesuesi i seancës kërkoi që leximi i dytë i Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa, si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për akreditim të shqyrtohen nesër në vazhdimin e seancës.

Më pas, mbledhja e seancës vijoi punimet me shqyrtimin e Raportit vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015, shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të përgjithshëm për vitin 2015, si dhe shqyrtimin e Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015.
Pas shqyrtimit të këtyre raporteve procedura e votimit lidhur me to do të zhvillohet nesër.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a. si dhe Propozim-vendimi i të njëjtit komision për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.

Këto, si dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës do të hedhen në votim nesër në vijim të seancës.
Drejtuesi mbylli punimet e seancë për sot, për të vijuar nesër në orën 10.00.

Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit