Lajmet e fundit
U mbajt tryeza rajonale për rolin e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në mbikëqyrjen e masave të zbatuara për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm
E Mërkure, 30.11.2016
Roli i parlamenteve të Ballkanit Perëndimor në mbikëqyrjen e masave të zbatuara për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm ishte tema e tryezës së sotme rajonale, e cila u mbajt në Prishtinë.
Të ftuar në këtë tryezë ishin edhe anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, anëtarë të komisioneve tjera, si dhe deputetë e ekspertë të vendeve të rajonit.
Me këtë rast, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, fillimisht sqaroi se në Kosovë është kompletuar pakoja ligjore për parandalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja dhe se përmes ligjit të veçantë parandalohen dhe sanksionohen këto forma.
Në vijim, ai tha se në Kosovë është shënuar një trend pozitiv, ngase, sipas tij ka rënie të radikalizmit islamik, duke përmendur kështu parandalimin e këtyre rasteve nga Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës, për të cilët tha se kanë punuar suksesshëm në këtë drejtim.
"Gjashtë muajt e fundit asnjë qytetarë i Kosovës nuk i është bashkuar fronteve të huaja", tha Haradinaj.
Në këtë tryezë diskutoi edhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Haxhi Shala. Mes tjerash, Shala tha se pa një bashkëpunim mes vendeve të rajonit nuk mund të jemi të suksesshëm në luftimin e kësaj dukurie.
Duke theksuar faktin se janë nxjerrë ligje për parandalimin e pjesëtarëve në luftimin jashtë vendit, Shala vlerësoi se në Kosovë është më se e nevojshme të ketë edhe një varg ligje tjera edhe për ndalimin e fushatave të ndryshme apo për njerëzit që ndikohen nga grupe të ndryshme për të shkuar në luftime jashtë territorit të Kosovës. Ndërkaq, edhe deputeti Shala përmendi faktin se kjo dukuri ka shënuar rënie në Kosovë.
Antje Fritz, zv. shefe e operacioneve për Evropën Juglindore, DCAF, tha se ekstremizmi i dhunshëm nuk duhet të luftohet vetëm përmes policisë dhe inteligjencës, por, edhe nga aspekti politik e ekonomik. Fritz foli për rolin që duhet të kenë parlamentet në mbikëqyrjen e masave për luftimin e terrorizimit, dhe për këtë, sipas saj, duhet të diskutohet dhe të sillen informata edhe nga parlamentet e tjera.
Duke e cilësuar rolin e parlamentit që duhet ta ketë edhe në sigurinë e qytetarëve, ajo tha se parlamentarët duhet të diskutojnë rreth një katalogu, për faktin se çfarë duhet të ndërmerret në luftimin kundër ekstremizmit.
Pas diskutimit të ambasadorit të Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet lidhur me këtë çështje, më pas folën edhe panelistë të tjerë dhe ekspertë si: Vlado Azinoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës, Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike nga Ministria e Punëve të Brendshme, Gjergji Vurmo, drejtor i Programit të Mekanizmit të Pavarur të Raportimit, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN), Tiranë, Anita Pereshin, eksperte për LEDh, Zagreb, asistente profesoreshë për luftimin e terrorizmit në George C. Marshall Centre, Simona Hrastnik Çuçek, eksperte për LEDh, Lubjanë, Dr. Harald Weilnböck, hulumtues, psikoterapist dhe praktikues i deradikalizimit në kontekst të burgut dhe komunitetit nga Gjermania, Dr. Claudia Hillebrand, ligjëruese e lartë në marrëdhënie ndërkombëtare, Universiteti Cardiff, Manfred Kraub, shef i Njësisë për Trajnime të veçanta të hetimeve penale në zyrën e policisë penale federale, Wiesbaden dhe Albert Berisha, Instituti për Siguri, Integrim dhe Deradikalizim (INSID), Prishtinë.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Elmi Reçica, Rexhep Selimi, Ganimete Musliu, Melihate Tërmkolli, Nuredin Ibishi, etj.
Me këtë rast, u diskutua lidhur me radikalizmin islamik në Ballkanin Perëndimor duke dhënë një pasqyrë të trendëve dhe zhvillimeve aktuale, pastaj lidhur me implikimet në politikëbërjen dhe mbikëqyrjen parlamentare, rolin e parlamenteve dhe të agjencive të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në luftimin e terrorizimit të dhunshëm, etj.
Gjatë kësaj tryeze u vunë në pah hollësi dhe informata përkitazi me trendët e radikalizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe u ndanë mësimet e nxjerra nga zbatimi i strategjive për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Po ashtu, u ofrua edhe platformë për diskutim në lidhje me implikimet për parlamentet. Në vijim diskutimi u përqendrua në përpjekjet e deradikalizimit dhe ri integrimit.
Prezantimet u përcillen me diskutime plenare në lidhje me rëndësinë e veçantë për kontekstin e Ballkanit Perëndimor dhe implikimet për parlamentet.
Kjo tryezë është organizuar nga DCAF(Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura).