Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Marte, 29.11.2016
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, procedoi për seancë plenare, Projektligjin për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive.
Në mbledhjen e sotme, me ftesë të komisionit, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Këshillit për trashëgimi kulturore, për të raportuar lidhur me rolin dhe funksionimin e këtij këshilli.
Kryetari i Këshillit, Shafi Gashi, para komisionit prezantoi gjendjen jo të mirë në këtë organ, duke shtruar nevojën e plotësimit të stafit me kuadro profesionalë, veçanërisht në fushën e arkeologjisë dhe të arkitekturës.
Duke e konsideruar jo të kënaqshme gjendjen edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, Gashi bëri të ditur se monumentet, asetet dhe shtëpitë-muze, dita-ditës janë duke u shkatërruar, në mungesë të buxhetit për restaurimin e tyre. Ai shtoi se ka shumë shtëpi dhe asete të cilat janë në përkujdesje të përkohshme, ndërsa prej shtatë vjetësh nuk është investuar asgjë në to. Gashi kërkoi nga anëtarët e komisionit që të merret në konsideratë buxheti për trashëgimi kulturore, ngase, siç theksoi ai, ka shume asete dhe monumente që kërkojnë ndërhyrje emergjente.
Anëtarë të komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke kërkuar angazhimin e këtij këshilli dhe të faktorëve të tjerë relevantë në këtë drejtim. Po ashtu, u shtruan pyetje për shtëpitë-muze të Jasharëve dhe për shumë asete kulturore, të cilat kërkojnë trajtim urgjent.
Gashi tha se për shumicën e monumenteve, përfshirë edhe atë të Jasharëve, nuk është i informuar se deri ku ka shkuar procesi i restaurimit të tyre. Ai shtroi nevojën e ndarjes së përgjegjësive me nivelin lokal, sepse, siç u shpreh, është e pamundur që Ministria e Kulturës t'u përgjigjet të gjitha kërkesave në këtë lëmë. Gashi tha se kjo pritet të bëhet në mënyrë ligjore.