Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 29.11.2016




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Njomza Emini, u shqyrtua Projektligji nr. 04/L-051 për Akademinë e Drejtësisë, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Me këtë rast, Komisioni rekomandoi që të hiqen amendamentet 12 dhe 22, që ka të bëjë me pushimin e funksionit të anëtarit të Këshillit Drejtues dhe emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit. Ata rekomanduan që këto amendamente të jenë ashtu siç kanë qenë të propozuara nga iniciuesi i Projektligjit, ndërkaq përkrahën projektligjin me amendamentet tjera të propozuara nga komisioni funksional.

Në vijim, Komisioni ka përkrahur edhe Projektligjin nr. 05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-043 për faljen e borxheve publike, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, si dhe Projektligjin nr. 05/L-090 për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Ndërkaq, sa i përket Projektligjit nr. 05/L-091 për mbrojtjen nga zhurma, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, Komisioni u dakordua që kjo çështje të shtyhet për një mbledhje tjetër të radhës, në mënyrë që të kërkojnë sqarime shtesë nga komisioni funksional sa i përket amendamentit 3.

Në mbledhjen e sotme e ftuar për raportim në Komision, ishte edhe ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, mirëpo ministrja Hoxha kishte konfirmuar mosardhjen e saj duke kërkuar mirëkuptim nga anëtarët e Komisionit.

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane