Lajmet e fundit
U mbajt tryeza "Raporti mbi Koston e Shërbimeve Cilësore të Edukimit në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë"
E Enjte, 24.11.2016
Sot, në Kuvendin e Kosovës, zhvilloi punimet Tryeza me temën: "Raporti mbi Koston e Shërbimeve Cilësore të Edukimit në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë" e organizuar nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe e mbështetur nga UNICEF-i.
Në këtë tryezë të ftuar ishin ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kryesuesi i Zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Qemajl Marmullakaj, përfaqësues i Zyrës për Planifikim Strategjik, ZKM, përfaqësues të ministrive përkatëse, të Bankës Botërore, si dhe udhëheqës të njësive relevante të administratës së Kuvendit të Kosovës.
Në hapjen e punimeve të kësaj tryeze, Flora Bronvina, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, përshëndeti pjesëmarrësit dhe bëri një rezyme të shkurtër të qëllimit të kësaj tryeze.
Në fjalën e hapjes së këtij evenimenti, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se investimet në edukimin e hershëm janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të fëmijëve. Ai tha se së bashku me investimet në shëndet, ato përbëjnë faktorët më me ndikim në trajektoren e ardhmërisë së tyre në përgjithësi dhe në kapitalin e tyre njerëzor në veçanti.
"Studime të shumta e potencojnë këtë gjë, duke theksuar njëkohësisht se arsimi parashkollor luan rol kritik në ndërtimin e aftësive themelore kognitive, emocionale, sociale dhe fizike të njeriut. Këto studime demonstrojnë se investimet në zhvillimin e hershëm janë shumë të rëndësishme për rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjate të një vendi", theksoi kryetari Veseli.
Më tej kryetari Veseli tha se sfida e radhës do të jetë ndërtimi i një rrjeti çerdhesh dhe kopshte për fëmijët e moshës parashkollore, të cilat përbëjnë edhe asetet themelore për suksesin e mëvonshëm të njeriut në jetë.
"Që në ditët e para, kur kam nisur angazhimin politik, unë kam qenë i bindur se kam për t'u marrë me probleme të vështira e sfida të mëdha. Edhe sot, jam i bindur se përpara kemi vështirësi të mëdha, por ju garantoj se nuk do t'i shmang. Ju siguroj se nga unë do ta dëgjoni të vërtetën për vështirësitë që na presin, pavarësisht se shumë prej këtyre problemeve do të jenë tepër të rënda. Më besoni që këtu nuk flas thjesht si politikan, por edhe si baba, si prind" ,theksoi kryeparlamentari veseli.
Kryesuesi i zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, falënderoi kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për vlerësimin e drejtë të situatës aktuale të fëmijëve të kësaj moshe dhe iniciativën e tij personale, në organizimin e kësaj tryezë pune, për prezantimin e studimit të realizuar nga UNICEF-i.
Investimi për fëmijët e moshës 3-5vjeç, theksoi midis të tjerash z. Mugaju, përbën një nga iniciativat më të mira të investimeve në Kosovë, pasi ky investim krijon kursime të mëdha për buxhetin e shtetit, në të ardhmen. Vlera e këtij studimi të realizuar nga UNICEF-i, tha më tej z. Mugaju, nuk qëndron në atë se është mbështetur në vlerat universale të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të fëmijëve, por i krijon mundësi Kosovës në vlerësimin e situatës dhe ndërtimin e strategjisë së saj, për realizimin e shërbimeve cilësore të edukimit të fëmijërisë së hershme. Ky projekt, vijoi ai, e inkurajon qeverinë dhe institucionet e Kosovës për një punë kualitative dhe cilësore në drejtim të edukimit.
"Ne duhet të imagjinojmë, theksoi Mugaju, se brenda 5-10 vitesh do të kenë mundësi më shumë fëmijë që të kenë një jetë më të mirë dhe një edukim në nivel më të lartë. Nëse reflektojmë drejt për një të ardhme më të mirë të tyre kemi kryer investimin më të mirë në Kosovë", theksoi Mugaju.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, falënderoi kryetarin veseli për iniciativën e tij për organizimin e këtij evenimenti, i cili mbahet në kuadrin e javës së Konventës për të Drejtat e Njeriut, duke e konsideruar këtë një tregues të përqendrimit dhe përcaktimit edhe të gjithë institucioneve të tjera, në realizimin e të drejtave të njeriut.
Ministri Bajrami, falenderoi gjithashtu edhe përfaqësuesit e UNICEF-it, duke theksuar se përfshirja dhe investimi në fëmijërinë e hershme e plotëson zinxhirin e zhvillimit arsimor, duke qenë hallka e parë në ndërtimin e plotë të sistemit arsimor.
"Ne jemi shumë të kënaqur, sepse është një tregues i gjendjes reale e cila nuk është aspak e kënaqshme", theksoi Bajrami.
Më tej ministri Bajrami elaboroi punën që po bëhet në Ministrinë e Arsimit dhe vlerësoi se njohja me këtë studim dhe koston reale, do të jetë një orientim për t'i hedhur hapat drejt investimeve për shërbimet cilësore të Edukimit në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë.
Habit Hajredini, përfaqësues i Zyrës për Qeverisje të Mirë, theksoi se ky studim do t'i orientojë saktë Qeverinë dhe institucionet e tjera, për të ndërtuar një strategji të saktë lidhur më këtë problem.
"Ne duhet të jemi të qartë dhe të fokusohemi drejt kornizave ligjore për ta çuar përpara këtë projekt, pasi është një nga fushat më të ndjeshme e cila ka nevojë për angazhimin e shumë institucioneve", theksoi ai.
Qemajl Marmullakaj, përfaqësues i Zyrës për Planifikim Strategjik, u shpreh i kenaqur me këtë iniciative të Kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, që seriozisht të merren me këtë problem, duke kërkuar raporte të sakta dhe studime zhvillimore.
"Kemi kryer një punë të mirë për ta shtrirë këtë projekt studimor në gjithë Kosovën dhe gradualisht të ndërtojmë edhe strategjinë gjithëpërfshirëse për të cilën Kosova ka nevojë", theksoi Marmullakaj.
Më pas përfaqësuesi i UNICEF/FISCUS UK, bëri prezantimin e rezultateve të këtij studimi, duke shpalosur të dhëna dhe shifra të sakta, që nga kostoja reale se sa duhet për një fëmijë për 10 orë mësimi në javë, e deri tek kostoja e përgjithshme që duhet të realizohet për implementimin e këtij projekti.
Pas pyetjeve të ndryshme dhe sqarimeve kjo tryezë përfundoi punimet.