Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike
E Mërkure, 23.11.2016
Në mbledhjen e Komsionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, të kryesuar nga Faton Topalli, kryetar, u shqyrtua raporti i Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Zyrës së Kryeministrit, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015.
Me këtë rast, anëtarë të Komisionit theksuan faktin se raporti është i pamodifikuar, me theksim të çështjes dhe paraqitën disa nga shqetësimet për të gjeturat nga auditori në ZKM.
Disa nga ta theksuan se bazuar në këtë raport ka shpalosje jo të plotë të parasë dhe se ka keqpërdorime të subvencioneve, ndërkaq u tha se rekomandimet janë përsëritur nga viti paraprak.
Të pranishëm në këtë takim për të dhënë sqarimet e nevojshme në çështjet që u ngritën ishin: Sokol Havolli, shef i Kabinetit të Kryeministrit, Fitim Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në ZKM, Valdet Gjinovci, kryeshef në Agjencionin e Veterinarisë së Kosovës dhe Isa Krasniqi, kryeshef në Agjencionin e Statistikave të Kosovës, të cilët pasi u përgjigjen në çështjet që u ngritën nga Komisioni treguan se kanë hartuar Planin e Veprimit për implementim të rekomandimeve dhe folën për të gjitha veprimet që janë ndërmarrë në këtë drejtim nga ZKM.
Komisioni mes tjerash kërkoi sqarime nga përfaqësues të ZKM-së edhe lidhur me masat që janë ndërmarrë për implementim të rekomandimeve të ZAP-it, për vështirësitë dhe problemet në mos implemtim të rekomandimeve.
Po ashtu, u theksuan edhe një varg mangësish tjera të paraqitura nga auditori, duke përmendur me këtë rast edhe shpënzimet përmes prokurimit.
Komisioni kërkoi sqarime të shumta për mosadresim të problemeve në ZKM, ndërkaq shprehën shqetësimin e tyre edhe për çështjen e auditorëve të brendshëm.
Pas një diskutimi të gjerë lidhur me këtë raport anëtarët e Komisionit i rekomanduan ZKM-së që në afat prej 3 muajsh t'i raportojë Komisionit lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit të rekomandimeve të auditorit.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi i Raportit të Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015, mirëpo në mungesë të ministrit të MPJ-së, Enver Hoxhaj, kjo çështje është shtyrë për një mbledhje tjetër.
Pasi komisioni shprehu shqetësimin e tij për mosprezencën e ministrit për dy herë radhazi, u dakorduan që ai të ftohet sërish në komision në afat prej dy javësh dhe nëse nuk i përgjigjet kësaj ftese, atëherë kjo çështje do të procedohet në Kuvend.