Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mbrojtje të Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor

E Hënë, 21.11.2016




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mbrojtje të Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, të cilin e ka kryesuar kryetarja, deputetja Duda Balje, mbajti, sot, një mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte: "Shqyrtimi i sëmundjes së fidanëve të mjedrës që u paraqit në territorin e Komunës së Podujevës.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe përfaqësuesit e Agjencisë së Kosovës për Ushqim dhe Veterinari, në krye me kryeshefin Valdet Gjinovcin, përfaqësuesit e KDI-së, si dhe disa përfaqësues të kultivuesve të mjedrës në Podujevë.

Në këtë mbledhje u diskutua për këtë problematikë nga ana e përfaqësuesve të kultivuesve të mjedrës nga Komuna e Podujevës, të cilët theksuan se vitin e kaluar, me ndërmjetësimin e USAID-it nga firma "Agroprodukt" nga Podujeva 90 fermerë kanë blerë 400.400 fidanë mjedre për t'i kultivuar 60 hektarë tokë. Pas disa muajsh, konstatoi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ata fidanë janë të infektuar me dy lloje sëmundjesh, njërën kancerogjene dhe prej numrit të tërësishëm të fidanëve të mbjella vetëm rreth 30% të sipërfaqeve kanë dhënë fryt të shëndoshë, ndërsa 70% e sipërfaqes nuk ka dhënë fryt të shëndoshë. Për këtë shkak fermerëve të Komunës së Podujevës u është shkaktuar dëmi në vlerë prej 300 mijë eurosh dhe kërkojnë nga institucionet gjegjëse, në radhë të parë nga Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe nga Agjencia për ushqim dhe veterinari t'u shpjegohet se si ka ndodhur kjo sepse, sipas tyre, këto fidane kanë qenë të shëndosha, por pastaj të njëjtat kanë dhënë fryt jo të shëndoshë. Njëkohësisht kërkojnë që të gjendet fajtori dhe t'u kompensohet i tërë dëmi që u është shkaktuar për këtë shkak.

Në këtë mbledhje, duke diskutuar për këtë temë, kryeshefi i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, z. Gjinovci, theksoi se kjo Agjenci në kufij i ka marrë mostrat e fidanëve të mjedrës dhe pas analizave të kryera nuk është gjetur se ka ndonjë sëmundje dhe se nuk dinë se çka është në pyetje. Ngjashëm me këtë, drejtori i "Agroproduktit " nga Podujeva tha se personalisht nuk e dinë se për çfarë është fjala dhe se është i gatshëm që fermerëve t'ua kompensoj dëmin duke i furnizuar me fidanë të rinj të mjedrës.

Në fund të kësaj pike të rendit të ditës, Komisioni u pajtua se duhet që edhe një herë të diskutohet në lidhje me këtë tematikë në mbledhjen e ardhshme dhe duhet të shihet se kush është fajtori për këtë situatë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mbrojtje të Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor