Lajmet e fundit

Nga tryeza e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Hënë, 21.11.2016




Në tryezën me temën: "Mjedisi biznesor për investime", organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në të cilën morën pjesë përfaqësueses të shumtë nga komuniteti i biznesit, si dhe një numër i madh odash ekonomike, është konstatuar se, përkundër përpjekjeve dhe reformave të gjertanishme, nuk është arritur të gjenden mënyra adekuate për të stimuluar investimet e jashtme.

Ky takim është kryesuar nga kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, i cili në ekspozenë e tij me këtë rast foli për politikat dhe masat për nxitjen e investimeve.

Ligji për investime strategjike dhe Ligji për Trepçën, tha ai, është një moment i ri i rëndësishëm sa i përket nxitjes së investimeve. Mungesa e investimeve ekonomike, vijoi Mustafa, arsyetohet me problemet që kemi me funksionalizimin e shtetit ligjor, ndërkaq, vlerësoi se zbatimi i kontratave të konteksteve biznesore dhe lufta më e përqendruar dhe më efektive kundër korrupsionit, do të ndikonte në krijimin e një ambienti më të mirë biznesor, si dhe joshjen e investitorëve të jashtëm.

Ndërkaq, me qëndrimin e Qeverisë lidhur me politikat dhe masat e marra për nxitjen e investimeve të jashtme njoftoi zv. kryeministri, Ramiz Kelmendi. Ai potencoi implementimin e projektit të fiskalizimit, për të cilin tha se jo vetëm shteti, por, përfiton edhe biznesi nga fiskalizimi. Më pas, nënvizoi se do të angazhohet në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit për kontestet biznesore dhe i inkurajojë bizneset që të shfrytëzojnë edhe arbitrazhin pranë odave ekonomike. Rëndësi të veçantë, zv. kryeministri i dha edhe mbështetjes së sektorit agrar ku qeveria është duke dhëne mbështetje reale. Njëkohësisht, ai propozoi që të futet në përdorim edhe sistemi i lizingut, si dhe kërkoj artikulim të kërkesave të biznesit në oda dhe asociacione, në mënyrë që qeveria të zhvillojë partneritetin me biznese dhe t'i adresoj qartë kërkesat e tyre.

Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), foli udhëheqësi i Agjencionit për promovim të investimeve (KIESA) në këtë ministri, Besian Mustafa, i cili dha një pasqyrë të investimeve të deritashme. Ai njoftoi edhe për sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar për të arritur rezultate më të mëdha në fushën e investimeve. Në vijim ai foli edhe për shkaqet e mosinvestimit të jashtëm, të bazuara në një studim të KIESA-s të realizuar së bashku me komunitetin e biznesit. Lidhur me këtë, ai tha se kanë identifikuar një mori faktorësh (tetë sish) që pengojnë investimet e jashtme. Lidhur me sfidat e identifikuara, tha ai, ne kemi formuluar 22 rekomandime për Qeverinë, si masa të domosdoshme për të tejkaluar gjendjen jo të mirë të të bërit biznes.

Se Qeveria është përpjekur që të krijojë klimë të përshtatshme për investitorët e jashtëm, ishte i mendimit edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka. Ai u ndal tek lëndët biznesore të pa trajtuara nga gjykatat dhe për këtë adresoi kritika ndaj sistemit të drejtësisë në vend. Në vijim, Zeka bëri të ditur se Oda Ekonomike Amerikane, është e gatshme që autoriteteve biznesore në vend, t'iu ofrojë shërbime të arbitrazhit, si mjet alternativ për zgjedhjen e kontesteve biznesore.

Folën më pas edhe përfaqësues të tjerë nga komuniteti i biznesit, të cilët paraqitën opinionet e tyre dhe sfidat më të cilat përballet biznesi në përgjithësi.

Nga tryeza e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...