Lajmet e fundit

Nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

E Mërkure, 16.11.2016




Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, të kryesuar nga Agim Çeku, nënkryetari i parë i Komisionit, mbajti mbledhje ku si pikë kryesore të rendit të ditës kishte Raportimin për përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë në sektorin e ofrimit të shërbimeve të mediave, në pajtim me Ligjin për RTK-në.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë përfaqësuesit e RTK-së, në krye me kryetarin e Bordit të RTK-së z. Ismet Bexheti, zëvendës drejtori i RTK-së z. Safet Zejnulahu dhe drejtori i RTK-2 Slavoljub Kuzić , si dhe përfaqësuesit e KDI-së dhe të Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Pesidentit të Republikës së Kosovës.

Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesit e RTK-së kanë theksuar se katër programe të Televizionit të Kosovës dhe dy programe të Radio-Kosovës, në skemën programore të tyre përmbajnë 15% të informatave lidhur me punën, jetën, aktivitetet shëndetësore, kulturore, sportive e sociale të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë dhe në bazë të kësaj RTK-ja respekton Ligjin për RTK, me të cilin është definuar se së paku 15% të programit duhet t'i dedikohet pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë.

Përfaqësuesit e RTK-së, theksuan se në RTK- 2 kjo përqindje është 20%, ndërsa në Radio-Kosovë është rreth 15%. Ata gjithashtu theksuan se nga numri i përgjithshëm i të të punësuarve në Radio Televizionin e Kosovës, 16% i takojnë komuniteteve jo shumicë, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, kështu që RTK në tërësi i ka përmbushur dispozitat e Ligjit për RTK. Në fund, përfaqësuesit e RTK-së kanë thënë se janë të vetëdijshëm që duhet t'i kushtohet më shumë kujdes kualitetit të emisioneve në gjuhët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Në vazhdim, anëtarët e Komisionit parashtruan pyetje të shumta dhe dhanë disa sugjerime e propozime për përfaqësuesit e RTK-së, si rritja e minutazhit të emisioneve në gjuhët e pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë, rritja e numrit të punëtorëve të komuniteteve jo shumicë, rritja e numrit të korrespondentëve nga pjesët e ndryshme të Kosovës, në radhë të parë aty ku jetojnë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë për të raportuar lidhur me ngjarjet që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me jetën dhe punën e këtyre komuniteteve në Kosovë. Ata propozuan që të realizohet një emisioni multietnik, që do të kontribuonte për informim sa më të mirë.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar Projektligjin nr. 04-L-44 për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, me amendamentet e Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Projektligjin nr. 05-L-91 për Mbrojtje nga Zhurma, me amendamentet e Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Projektligji nr. 05-L-090 për Sponzorimin dhe Donacionet nga Fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me amendamentet e Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Projektligjin nr. 05-L-095 për Akademinë e Drejtësisë, me amendamentet e Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe mbikëqyrjen e AKK.

Në fund, anëtarët e Komisionit kanë përkrahur pa debat procedimin e mëtejshëm të këtyre 4 projektligjeve për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

Nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe KthimNga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim