Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 17.11.2016




Kuvendi i Republikës së Kosovës, vazhdoi sot seancën plenare me pikat e rendit të ditës nga mbledhja e filluar më 28 tetor, të cilën e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.
Seanca filloi me betimin e dy deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nehat Baftiu, i cili tani e zëvendëson ish-deputetin Fadil Demaku, dhe Fatmir Shurdhaj, në vend të ish-deputetit Ramiz Kelmendi.

Pas kësaj, deputetët nga radhët e Grupit Parlamentar Vetëvendosje kanë dalë para foltores me një pankartë në të cilën shkruhej: "DREJTËSI!", duke aluduar për vdekjen e aktivistit të kësaj Lëvizjeje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, nga foltorja e Kuvendit ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rastin e Astrit Deharit , duke deklaruar se shteti duhet të japë përgjegjësi, që Astriti u mbajt në burg për 68 ditë dhe asnjëherë nuk u mor në pyetje nga hetuesit. Deklaratat e policisë nga rajoni i Prizrenit, tha Ymeri, kanë qenë gënjeshtra, se Astriti ka përdorë dozë të tepruar barërash . Me pas Ymeri theksoi se hetuesia u bë pjesë e propagandës, në mënyrën se si është administruar ky rast. Ai tha se qytetarët e kanë humbur besimin për hetim të pavarur në këtë rast.

Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, fjalën e mori Daut Haradinaj, i cili lidhur me rastin Dehari, theksoi qëndrimin e AAK-së për debat parlamentar, i cili, sipas tij, i ndihmon Kuvendit dhe drejtësisë. Ai tha se do të ishte mirë që ministrja e Drejtësisë të tregojë para deputetëve se deri ku kanë shkuar hetimet, ngase, sipas tij, është krijuar amulli dhe shqetësim tek qytetarët.

Zafir Berisha nga Grupi Parlamentar NISMA, përkrahu deklarimet për debat në Kuvend. Ai tha se moszgjidhja e këtij rasti lë vend për të dyshuar në organet përgjegjëse të drejtësisë.
Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Zenun Pajaziti, shprehu dhimbjen për vdekjen e Deharit, duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit. Pajaziti theksoi se familja Dehari ka dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare dhe çlirimin e vendit, duke kërkuar që sa më parë të zbardhet rasti. Ai tha se nuk duhet t'u bëhet presion organeve të drejtësisë dhe se PDK-ja, sipas tij, vlerëson se duhen pritur organet e drejtësisë të dalin me rezultate konkrete për zbardhjen e rastit.

Ismet Beqiri, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, shprehu ngushëllime për rastin tragjik dhe të dhimbshëm të Astrit Deharit, duke kërkuar nga organet kompetente që sa më parë të dalë e vërteta.
Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, kërkoi urgjentisht nga Kuvendi që të debatojë për rastin e Astrit Deharit. Ai tha se nëse Kuvendi nuk merret më rastin e Deharit, i cili ka humbur jetën në burg, kush tjetër do ta ketë guximin të debatojë për këtë rast. Konjufca kërkoi që të hidhet në votim mocioni për debat parlamentar lidhur me këtë rast.

Me kërkesë të GP të VV-së, u hodh në votim mocioni për debat, por nuk kishte kuorum për të vendosur për këtë kërkesë.
Seanca vazhdoi me pikat e parapara të rendit të ditës, siç ishte raundi i dytë i votimit të fshehtë për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, që për kandidatë kishte Shemsi Jasharin dhe Naim Krasniqin.

Deputetet e opozitës, më këtë rast, lëshuan mbledhjen dhe punimet e Kuvendit u ndërprenë.
Pas pauzës, Kuvendi procedoi me votim të fshehtë, në të cilin, asnjëri nga kandidatët nuk arriti numrin e mjaftueshëm të votave për t'u zgjedhur në pozitën përkatëse. Kryesuesi i seancës konfirmoi përsëritjen e konkursit.

Në vazhdim, u procedua, po ashtu me votim të fshehtë, për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media, për të cilën pozitë ishin në garë Fehmi Ajvazi dhe Xhemajl Krasniqi. Pas numërimit të votave, u konstatua se Xhemajl Krasniqi ka marrë votat e mjaftueshme për t'u zgjedhur anëtar i KPM-së, me mandat katërvjeçar.

Sa i përket formimit të Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, kryesuesi Haliti bëri të ditur se nuk ka kuorum për votim.
Lidhur me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes "Vetëvendosje" lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës, kryetari i GP të PDK-së Zenun Pajaziti dhe ai i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, vlerësuan se nuk e shohin të arsyeshme që të jenë pjesë e këtij komisioni.

Deputeti Pajaziti bëri të ditur se tanimë është duke u bërë plotësim-ndryshimi e Projektligjit për RTK-në, ndërsa Ismet Beqiri deklaroi se organet kompetente duhet ta bëjnë punën e tyre.
Deputetja Margarita Kadriut-Ukelli, hapi debatin parlamentar, të iniciuar nga vet ajo dhe mbështetur nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Ajo tha se buxheti i taksapaguesve po rrezikohet me afër 500 milionë euro, si pasojë e detyrimeve të mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, siç është rasti i pasaportave.

Sipas saj, rasti i dytë është ai me Z-Mobile, ndërsa rasti i fundit është me privatizimin e PTK-së, ku firma ‘Axos' ka paditur Kosovën për anulimin e tenderit. Deputetja Kadriu tha se nëse këto dy lëndë të tjera do të jenë në favor të ankuesve, kjo do t'i tronditë financat e Kosovës.
Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dha sqarime në lidhje me kontestet që Kosova ka në Gjykatën e Arbitrazhit. Ai përmendi rastin e pasaportave ku shtypshkronja austriake e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit dhe që është dënuar me 5 milionë e 300 mijë eurosh.

Mustafa bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është ankuar në Gjykatën e Apelit dhe tashmë pritet një vendim për këtë çështje. Kryeministri përmendi edhe rastin e dytë, që është ndërmjet DardaPhone dhe Telekomit të Kosovës, i cili është dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit, e cila pritet të bëjë publik vendimin deri në fund të dhjetorit. Lidhur me procesin e shitjes së PTK-së, me ç'rast kompania ‘Axos' e ka paditur Qeverinë në Arbitrazh, kryeministri Mustafa theksoi se Kompania 'Patenbox' do të dërgojë përgjigjet për ‘Axos' ndërsa Qeveria do të angazhohet për të mbrojtur sa më mirë këtë çështje. Kryeministri kërkoi që në seancë të mos debatohet për AXOS-in, por, sipas tij, secili që dëshiron mund t'i shikojë dosjet në ministrinë përkatëse.

Nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetët e tjerë askush nuk e kërkoi fjalën, ndërsa deputetja Margarita Kadriu, në cilësi të iniciuesit të debatit, lexoi disa rekomandime, të cilat, në mungesë të kuorumit, nuk u hodhën në votim.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit