Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 16.11.2016
Mbledhja e sotme e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale drejtuar nga Flora Bronvina, kryetare filloi me takimin me ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, lidhur me diskutimin e procesit të arritjes së marrëveshjes për pensionet me Zvicrën dhe zbatimi i Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Ministri Abrashi u shpjegoi deputetëve të komisionit lidhur me punën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale, e cila prej vitesh ka filluar me negocimet për tu arritur një marrëveshje lidhur me pensionet e punonjësve të Kosovës në Zvicër.
Ai përshëndeti qeverinë Zvicerane për rihapjen e negociatave lidhur me marrëveshjen për pensionet e qytetarëve të Kosovës në Zvicër. Jam shumë i sigurte se kjo marrëveshje do të nënshkruhet midis dy qeveritë tona në të ardhmen. Ata kanë filluar procedurat e monitorimit dhe kanë kontaktuar me shumë institucione të Kosovës dhe tashmë jemi në prag të përfundimit, pasi nga ana jonë janë përmbushur të gjitha detyrimet dhe tashme jemi në pritje të nënshkrimit përfundimtar të marrëveshjes.
Jam shumë i sigurt se kjo marrëveshje do të nënshkruhet midis dy qeverive tona, pasi jemi fokusuar tërësisht në përfundimin e kësaj marrëveshje për të kaluar më tej me marrëveshjet me Kroacinë, Slloveninë dhe Serbinë.
Lidhur me marrëveshjen me Malin e Zi presim që të kalojmë edhe me nënshkrimin e marrëveshjes për eksportin e pensioneve midis dy vendeve tona duke i hapur rrugë marrëveshjeve të tilla me shtet e tjera.
Ministri dha sqarimet dhe informacionet e duhura për pyetjet e deputetëve. Lidhur kohëzgjatjen dhe vonesat, ai sqaroi se kanë ardhur edhe për shkak se Zvicra ka pasur marrëveshje me Jugosllavinë dhe Kosova më pas nuk ka qenë e gatshme lidhur me përgatitjen e legjislacionit.
Lidhur me zbatimi i Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti ministri shpjegoi se po bëhet një punë e mirë për të gjitha skemat dhe se realisht buxheti ka qenë tepër i ngarkuar. Ne kemi filluar një punë mire lidhur me punonjësit e arsimit pasi kemi gjetur nga bashkëpunimi me komunat dokumentacion të saktë nga viti 1990 e këtej.
Lidhur me sqarimin e termit "të tjerët" të përdorur është fjala për hulumtimin e të dhënave të sakta të të punësuarve të skemave të tjera, për të cilët nuk ka dokumente përfaqësuese, por të diskutueshme.
Për kategorizimet kemi vështirësi të mëdha, pasi nuk kemi kapacitete të përcaktimit të saktë për trajnimet dhe specializimet e dikurshme, si dhe kohëzgjatjen dhe baras-vlefshmërinë e tyre me modalitetet e sotme.
Lidhur me informimin e Komisionit nga shoqata e diabetologëve, Bardhyl Gashi, kryetar i shoqatës dha një informacion të gjerë lidhur me problemet e të sëmurëve me diabet, për të cilët anëtarët e komisionit kishin nevojë të njiheshin më mirë me këtë problem.
Kryetarja e Komisionit pasi vlerësoi informacionet e dhëna i premtoi kryetarit të shoqatës së diabetologëve se do të organizojë një takim më të gjerë për sensibilizimin e gjithë shoqërisë në Kosovë.