Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 15.11.2016
Të enjten, më 17 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të shqyrtojë pikat e mbetura të seancës së 28 tetorit, e cila ishte ndërprerë në mungesë të kuorumit.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.
Në këtë vazhdim të seancës, pritet të mbahet raundi i dytë i votimit të fshehtë për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe votimi, po ashtu i fshehtë, për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Komisionit të Pavarur për Medie.
Në vazhdim, pritet formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes "Vetëvendosje" lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe të zhvillohet debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Më pas, Kryesia u njoftua me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të deputetë nënshkrues, për seancë të jashtëzakonshme, për datën 16 nëntor, në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së të paraburgosurit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si dhe me shkresën e deputetit Bislim Zogaj, për tërheqjen e nënshkrimit të tij nga kjo kërkesë.
"Deklaroj se me dt. 12. 11. 2016, kam firmosur kërkesën e GP VV për mbajtjen e një seance plenare për sqarim lidhur me rastin. Mirëpo, ju njoftoj se firma ime është përdorur për një seancë të jashtëzakonshme, për të cilën nuk jam i gatshëm. Preferoj që paraprakisht të priten rezultatet e hetimit nga institucionet përkatëse", thuhet në sqarimin e deputetit Bislim Zogaj.
Në këto rrethana, u konstatua se kërkesa, e mbetur me 39 nënshkrime, nuk i plotëson kushtet për seancë të jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, përfaqësuesit e GP të Vetëvendosjes në Kryesi, e lëshuan mbledhjen, duke bërë të ditur se nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në asnjë seancë të rregullt, pa këtë seancë të jashtëzakonshme.
Kryesia nuk pati kuorum për të vazhduar më tej mbledhjen.